Kamera e fshehtë/ Punonjësve të Administratës u marrin kartat e identitetit për zgjedhjet
Gjatë ditëve të fundit Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po ndryshon adresat dhe vendbanimet e disa qytetarëve me qëllim që të mos kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Ndërsa ekzekutivi ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se nuk po ndodh asnjë ndryshim me qendrat e votimit.
Por, në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan ka mbërritur një denoncim që tregon se në Spitalin e Peshkopisë po mblidhen kartat e identitetit për zgjedhjet e Prillit 2021. Në këtë listë që disponon “Stop”, janë të gjitha emrat e stafit mjekësor, kryesisht infermiere, që kanë dorëzuar kartat e identitetit. Bashkëngjitur janë edhe numrat e telefonit. Në respekt të privatësisë, emrat, numri unik i kartave ID dhe numrat e celularit janë mbuluar.
Por, për të vërtetuar këtë denoncim që ka mbërritur në redaksi, emisioni “Stop” ka shkuar në Spitalin e Peshkopisë dhe ka bërë një vëzhgim përmes kamerës së fshehtë. Me zë dhe me figurë, infermieret e këtij spitali pohojnë se kanë dorëzuar kartat e identitetit pasi u është kërkuar nga drejtoria. Jo vetëm kaq, por disa prej tyre kanë dorëzuar edhe kartat e identitetit të familjarëve.
Ndërsa disa prej infermiereve të tjera refuzuan të jepnin kartat ID të familjarëve. Stafi mjekësor pranon se mbledhja e kartave të identitetit nga drejtoria e Spitalit të Peshkopisë është bërë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021.
Më poshtë bisedat e infermiereve përmes kamerës së fshehtë:
-A ju kanë kërkuar edhe juve kartat?
I kanë kërkuar. I kemi çuar ne.
Pse?
Na i ka kërkuar drejtoria.
Për çfarë?
Po duhet me i dhënë o…se…
Pse?
S’do e japësh? Të vijë ta marrë vetë.
Kush vjen?
Drejtori.
Pse?
S’e di moj, pse i kërkojnë ata, për votat i kërkojnë.
Për cfarë?
Për votat.
– A i dhatë edhe të familjes ju?
Po, të … dhe të … Po c’të bëjmë, moj…? Të dalim vetëm unë dhe ti?
Po! Unë nuk i kam dhënë.
Duhet me i dhënë, oj… I kanë dhënë krejt.
A jua kanë kërkuar edhe juve kartat?
Po!
Kush?
Drejtori. …për të ruajtur vendin e punës.Edhe të fëmijëve, kjo është budallallëk. Edhe tënden, ajo është votë e fshehtë. Nuk e di, se kujt ia japin.
Po pse i kërkojnë?
Po i kërkojnë për votat.
Po kush erdhi te ju?
Po ku di unë, na tha Elisoni, duhet me pru numrat e kartave.
Neve na i kishin shkruar edhe të fëmijëve mbi 18 vjec.
Jo jo, nuk m’i japin (fëmijët) .
Kur i kam dhënë, i kanë. Nuk dua me i dhënë.
Po ç’i donin?
Për votime, moj. Të familjarëvë të mi nuk kanë shanc.
-E dhatë kartën e identitetit?
Po! Edhe të familjes.
Krejt familjes? Po pse i donin?
Po për të votuar.
Më cmendi … në telefon, ec. U bë kiameti.
Të votosh për këta! Për asnjë, asnjë s’e meriton.