”Kamerat spiune të krimit”, kryepolici Rrumbullaku lëshon një urdhër për të gjitha drejtoritë

Nisur nga ngjarja e fundit në Shkodër, ku Policia zbuloi 21 kamera spiune të bandave, ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku të reagojë. Ai ka urdhëruar të gjithë drejtorët në 12 qarqet e vendit për të luftuar krimin e organizuar përmes identifikimit të autorëve të vendosjes së kamerave të sigurisë të paautorizuara nëpër hapësirat publike, në kundërshtim me ligjin.

Urdhri i kryepolicit Rrumbullaku për të gjitha drejtorit vendore të policisë është për të identifikuar kamerat e sigurisë që janë pa zot, që nuk janë në emër të askujt dhe nuk justifikojnë vendin e instalimit, në hapësira ku konsiderohen si vende me lëvizje të anëtarëve të grupeve kriminale.

Në ditët në vijim mësohet se pritet të ketë operacione të tjera për çmontim kamerash që mendohet se janë vendosur për të monitoruar jo vetëm anëtarët kundërshtarë të krimit, por edhe efektivëve të policisë. Në fokus pritet të jenë qarqet Vlorë, Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Fier, të konsideruara si pika të nxehta të krimit në vend.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se duhet hetuar ku janë blerë kamerat që vendosën kriminelët në Shkodër. Bëhet me dije se kamerat e çmontuara janë vendosur nga persona apo grupe kriminale me qëllim marrjen e informacionit për lëvizjet e Policisë.

Edhe Sali Berisha ka mbajtur një qëndrim, ku thotë se vendosja e kamerave është dëshmi se qyteti vijon që të jetë nën sundimin e mafies. Sipas Berishës, një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, ka edhe në Vlorë, Elbasan e në Korçë, kudo jeni të filmuar.

SHKARKO APP