Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi në Shqipëri, reagon Policia e Shtetit
Për operacionin e zhvilluar dje në Maqedoninë e Veriut, ku u zbulua një kamion që kishte 1.3 ton kokainë, në një reagim për mediat Policia e Shtetit ka bërë me dije se në operacion ka marrë pjesë dhe ajo. Më tej në reagim shtohet se ky operacion përmban angazhimin serioz të Policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
”Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës. Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti. Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë”.
Droga u zbulua që në Itali, ku policia aty e zëvendësoi atë me lëndë tjetër dhe vendosi GPS. Kamioni me drogë kaloi dhe në Shqipëri me lejen e Policisë dhe nuk iu nënshtrua asnjë kontrolli.