Kamioni me 500 mijë euro, kërkohet dëshmia e pronarit, shoferi: Nuk isha në dijeni të parave
Shqipëria i ka dërguar kërkesë palës italiane për të marrë në pyetje pronarin e kompanisë së kamionit që u kap me 500 mijë euro të padeklaruara në portin e Durrësit. Palës italiane i kërkohet të merret në pyetje pasi dëshmia e tij konsiderohet kyçe. Ndërkohë të martën Gjykata e Durrësit ka lënë në burg shoferin e kamionit ku gjetën eurot e fshehura i cili i qëndroi versionit se nuk kishte pasur dijeni për kartëmonedhat e fshehura në kamion.
Durres- Prokuroria e Durrësit i kërkon autoriteteve italiane të marrin në pyetje pronarin e kompanisë, JA-ADA.shpk, Artan Katrini në lidhje me automjetin me 500 mijë euro që u bllokua pak ditë më parë në Durrës.
Burime nga policia bëjnë me dije se dëshmia e tij mund të jetë kyçe për gjetjen e origjinës së parave që u kapën në portin e Durrësit në tentativë për të hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Katrinit i kërkohet informacion gjithashtu dhe lidhur me aktivitetin e kompanisë të transportit të lëndës për prodhimin e këpucëve, pasi në QKR rezulton si biznes i pezulluar.
Itinerari i kamionit – Më herët është drejtuar dhe një tjetër kërkesë në Itali ku kërkohet të zbardhet itinerari që ka kryer drejtuesi i kamionit dhe personat me të cilët mund të ketë pasur kontakt.
Ndërkohë në Gjykatën e Durrësit, 3 ditë pas arrestimit shoferi i kamionit, Andon Thanasi, u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Para se të futej në seancë i arrestuari me 500 mijë euro u përshëndet nga gruaja e tij e cila e priste jashtë gjykatës. “Zemra ime, te dua shume shpirt”
Shoferi i kamionit u la në arrest me burg ndërkohë që i qëndroi deklarimeve të dhëna në polici ku ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për fshehjen e shumës nën kamion.
Kamioni me shumën rreth 500 mijë euro të fshehura është pikasur që në portin e Barit, ku fillimisht kanë qenë autoritet italiane që kanë sinjalizuar palën shqiptare për të ndërhyrë me qëllim bllokimin e shumës që do të hynte ilegalisht në Shqipëri.