Kampionatet botërore të futbollit të blera me rryshfet
Nga Enver Robelli .
Prej kohësh qarkullojnë akuza se për Kampionatet e Futbollit në Francë në vitin 1998 dhe në Afrikën e Jugut në vitin 2010 është paguar ryshfet. Edhe për Kampionatet e ardhshme në Rusi dhe Katar thuhet se rol kanë luajtur paratë e dhëna nën dorë. Në numrin më të ri revista gjermane «Der Spiegel» bën me dije se edhe komiteti gjerman i kandidimit kishte krijuar një arkë ilegale të mbushur me 6,7 milionë euro. Këtë arkë e kishte mbushur shefi i atëhershëm i Adidasit Robert LousDreyfus. Për këtë veprim thuhet se kishin qenë të njoftuar Franz Beckenbauer, shef i komitetit të kandidimit, dhe më vonë edhe Wolfgang Niersbach, i cili aktualisht është president i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB). Nëse konfirmohen këto akuza, atëherë kjo është njëra prej krizave më të mëdha të futbollit gjerman. Këto para ishin përdorur për t’i siguruar votat e përfaqësuesve aziatikë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), e cila në vitin 2000 kishte vendosur që Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2006 të mbahet në Gjermani. «Der Spiegel» shkruan se shefi i Adidasit Dreyfus më vonë kishte kërkuar që t’i ktheheshin paratë. Federata Gjermane e Futbollit i hodhi poshtë akuzat të premten, menaxhmenti i Franz Beckenbauerit refuzoi të përgjigjet, ndërsa FIFA njoftoi se do të hetojë akuzat dhe rastin ia përcolli një komisioni të brendshëm. Dreyfus, i cili ka vdekur në vitin 2009, disa vite para vdekjes u kishte kërkuar gjermanëve që t’ia kthejnë paratë. Pala gjermane, sipas revistës, 6,7 milionë euro i kishte paguar në një xhirollogari të FIFAs në Gjenevë – gjoja si kontribut gjerman për FIFA-n.
Pastaj FIFA ia kishte transferuar paratë Dreyfusit. Federate Gjermane e Futbollit pranoi se në vitin 2005 një shumë e tillë i është transferuar FIFAs në vitin 2005 dhe «ka gjasa» të mos jetë përdorur «për qëllimin e parashikuar». Federata Gjermane theksoi se paratë i ishin dhuruar FIFAs për një program kulturor. Por, sipas kësaj Federate, edhe nëse paratë s’janë përdorur për qëllimin e paraparë, kjo s’domethënë se ndërlidhen me fitimin e të drejtës që Gjermania të organizojë Kampionatin Botëror të Futbollit. Federata Botërore e Futbollit dhe shefi i saj Joseph Blatter prej muajsh akuzohen për aktivitete korruptive. Kundër Blatterit po zhvillon hetime drejtësia amerikane. Komisioni i Etikës i FIFAs pas presionit të madh publik ka suspenduar Joseph Blatterin dhe shefin e UEFA-s Michel Platini. FIFA, e cila prej vitesh me pseudoargumente refuzon pranimin e Kosovës, po ballafaqohet qe një kohë të gjatë me skandale të mëdha. Në vijim një kronologji: më 20 tetor 2010 Komiteti Ekzekutiv i FIFAs suspendoi dy anëtarë nga Tahiti dhe Nigeria, të cilët dyshoheshin se kanë qenë të gatshëm të shesin votat e tyre për Kampionatet Botërore të Futbollit më 2018 dhe 2022. Më 18 nëntor 2010 u ndëshkuan gjashtë funksionarë të FIFA-s. «Tani nuk duhet të ketë më asnjë dyshim», kishte premtuar atëbotë Joseph Blatter. Më 29 nëntor 2010 u bënë publike akuza të reja për korrupsion kundër tre anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv: Ricardo Teixeira (Brazil), Nicolás Leoz (Paraguaj) und Issa Hayatou (Kamerun). Më 6 dhjetor 2010 u njoftua se zëvendësshefi i FIFAs Julio Grondona (Argjentinë) kishte marrë 59 milionë euro nga Katari. Më 1 qershor 2014 gazeta «Sunday Times» njoftoi se ishfunksionari i FIFA-s nga Katari u kishte paguar pesë milionë dollarë zyrtarëve të FIFA-s për të siguruar mbështetjen për kandidimin e Katarit. Më 27 maj 2014, pak para rizgjedhjes së Blatterit në krye të FIFA-s, policia zvicerane arrestoi zëvendësshefin e FIFA-s Jeffrey Webb dhe Eugenio Figueredo dhe ishzëvendësshefin e FIFA, Jack Warner. SHBA-të aktualisht janë duke hetuar 14 ishfunksionarë të lartë të FIFAs dhe biznesmenë.
Më 2 qershor Blatter u rizgjodh shef i FIFAs; po atë ditë «New York Times» njoftoi se sekretari i përgjithshëm i FIFA Jérôme Valcke ishte ai që më 2008 kishte urdhëruar që 10 milionë dollarë të transferohen nga një xhirollogari e FIFAs në një xhirollogari në Amerikë. Blatter paralajmëroi dorëheqjen nga kreu i FIFA-s. Më 2 korrik 2015 autoritetet amerikan kërkoi nga Zvicra ekstradimin e shtatë funksionarëve të FIFAs të arrestuar në maj. Pas ekstradimit më 19 korrik Webb para një gjyqi në New York tha se është i pafajshëm. Më 17 shtator 2015 sekretari i përgjithshëm i FIFAs Jérôme Valcke shkarkohet nga të gjitha detyrat. FIFA fillon hetimet kundër tij për shkak të pasurimit personal. Më 25 shtator 2015 Prokuroria e Konfederatës së Zvicrës bën me dije se ka nisur hetimet kundër Blatterit. Më 2 tetor sponsorët CocaCola, McDonald’s, Visa dhe AnheuerBusch kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Blatterit. Adidasi, ndërkaq, nuk kërkon dorëheqjen e zviceranit.
KOHA JONË SONDAZH

