Kampione Europe për Greqinë, shqiptarja Elina Xhengo: Mora mesazhe negative nga grekët
20-vjeçarja Elina Xhengo, e lindur nga prindër shqiptarë, tregon se nuk e ka shijuar tërësisht sukesesin e europianit të Mynihut, ku u shpall Kampione e Europës në hedhje shtize.
Edhe pse ajo përfaqësoi Greqinë dhe valëviti flamurin e vendit fqinjë në europian ku vendosi edhe rekord kontinental si vajza më e re që arrin të fitojë një titull në këtë disiplinë, mesazhet fyese me bazë raciste për shkak të origjinës së saj nuk kanë munguar.
“Kam marrë mesazhe negative sepse jam me origjinë nga Shqipëria. Telefonatën e parë ua bëra prindërve të mi sepse ata kanë besuar shumë dhe e prisnin këtë sukses. Ata e ndiejnë stresin e garimeve të mija dhe kërkojnë që ta largojnë nga unë”.
Në vijim ajo nënvizon se vetëm gjatë muajve të fundit është pajisur me pasaportë greke dhe nuk e dinte nëse do të merrte pjesë në europian, por pavarësisht këtij fakti nuk e ka ndalur stërvitjen.
“Në fshatin ku jetojmë nuk e kam ndier sepse njerëzit na trajtojnë shumë mirë. Jam socializuar mjaft mirë me të gjithë banorët atje. Pas garës kam marrë shumë mesazhe negative për shkak të origjinës. Prindërit kanë qenë shumë të zemëruar me faktin që nuk kisha mundësi të konkurroja në nivele ndërkombëtare për shkak të mungesës së pasaportës”.