Kanabisi, Veliu mbledh drejtorët policisë Elbasan, Tiranë, Durrës e Korçë: Asnjë tolerim!
Një takim rajonal për anti-kanabisin është zhvilluar në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Durrës.
Në takim ka qenë i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Zv/Drejtoren e Përgjithshme Aida Hajnaj, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtorin e Departamentit të Sigurisë Gjovalin Loka, zhvilloi një analizë ku morën pjesë drejtorët e drejtorive vendore Elbasan, Tiranë, Durrës e Korçë dhe shefat e komisariateve.
Drejtori i Përgjithshëm Veliu ka vlerësuar punën e deritanishme dhe ka kërkuar thellim të masave duke intensifikuar veprimet në terren dhe në marrjen e informacioneve.
Veliu theksoi se nuk do tolerohet asnjë drejtues policie e deri te punonjësi më i thjeshtë, në rast se do ketë neglizhencë apo implikim, ndaj në ditët në vijim duhet të shtohen kontrollet në territor.
“Periudha që ka mbetur është periudhë që e gjithë Policia të jetë në terren e jo në zyra. Të nxirrni përgjegjësitë dhe atje ku janë konstatuar raste të kultivimit të ndëshkohen personat përgjegjës, qoftë nga radhët e Policisë, pushteti vendor, kryepleqtë e fshatrave, inspektorët e pyjeve e të cilitdo institucion që ngarkon ligji me përgjegjësi”, – tha Veliu.
Ai porositi që me dronët dhe helikopterin e Policisë çdo ditë duhen ushtruar kontrolle e rikontrolle territori.
Grupet e kontrollit nga toka të kontrollojnë imtësisht territorin, banesat e braktisura, tunelet, serat e çdo vend tjetër.
Gjithashtu ai porositi të shtohen kontrollet për goditjen e krimeve mjedisore.
Veliu kërkoi më shumë angazhim në drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë, me prioritet zonat bregdetare, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë apo me lëndë narkotike.
Drejtori u ndal edhe në intensifikimin e punës për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.