Kanceri i gjirit, 800 raste të reja në vit

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kontrollet dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gjatë muajit rozë, mamografitë në spitale dhe në qendra shëndetësore do të jenë falas, por këtë vit do të punojnë me orare të zgjatura për shkak të protokolleve mbrojtëse ndaj Covid-19.

Turpi për kontrollin e gjirit e ka mbajtur gjithmonë larg mjekut. Në moshën 56-vjeçare u detyrua jo vetëm të shkojë në spital, por të heqë njërin gjoks për shkak të kancerit. Sot e penduar për neglizhencën e treguar, Lumturie Qyra nga Tirana ka një mesazh për vajzën e saj dhe të gjitha gratë. “Atëherë kur u sëmura, kur nuk ndihesha mirë, shkova në spital. Po të kisha ardhur më herët, më mirë do të ishte. Të gjitha gratë të bëjnë kontrolle dhe mos ta lënë veten pas dore”, thotë gruaja.

Mjekët kanë vënë re se pandemia ka përkeqësuar shëndetin e të sëmurëve me kancer. Për shkak të frikës nga infektimi, shumë prej tyre kanë shtyrë kontrollet tek onkologu dhe sëmundjet kancerogjene janë rënduar.

Në vendin tonë, dy gra në ditë diagnostikohen me kancer të gjirit ose rreth 800 raste të reja në vit. Onkologët thonë se është ulur vdekshmëria nga ky lloj kanceri por është rritur sëmundshmëria tek moshat e reja. “Vihet re rritje e rasteve të reja në moshat 30-45 vjeç. Ndërsa piku arrihet pas të 45-ve. Një ekzaminim para pasqyrës shpëton jetë. Çdo ndryshim në gjoks, në lëkurë apo një dalje nodusi, duhet t’i drejtojë tek mjeku. Kapja e hershme shpëton jetë”.

Më herët, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i bëri thirrje vajzave që të kryejnë mamografinë, për të parandaluar tumorin e gjirit. ”Si grua, bijë dhe nënë, kam një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat: Sot, e ke vetë në dorë që, përmes diagnostikimit të hershëm të shmangësh rrezikun që tumori i gjirit i shkakton shëndetit. Bëhu ti vetë mbrojtëse e shëndetit tënd, e mirëqenies së familjes tënde, në një betejë që fitohet”,- theksoi Manastirliu.

SHKARKO APP