Kandidat në primare/ Bogdani: Nëse fitoj zgjedhjet, do rregulloj trafikun në Tiranë
Ish-deputeti i PD-së, Gerti Bogdani është kandidat në primaret e PD-së për bashkinë e Tiranës, që të jetë ai kandidati final i gjysmës së selisë blu në zgjedhjet lokale të 14 majit. Bogdani ka shpalosur premtimet e tij, ku ka deklaruar se do të rregullojë trafikun, teksa premtoi edhe se do të ofrojë edhe transport publik falas për fëmijët në fillore, si një formë edhe për të ulur trafikun.
Një tjetër pikë ku ai është ndalur janë te ndërtimet, ku sipas tij, do të krijojë një tjetër prespektivë të zhvillimit të qytetit. Ai tha se nuk do të ndalë ndërtimet, por sipas tij, do t’i bëjë ato me një plan të detajuar në mënyrë që çdo qytetarët të gjejë të gjitha shërbimet e duhura në lagjen e tij.
”Në Unazën e re, ke një zonë 100 mijë banorë, ku nuk ke shkolla, do zhvillohet me hapësira të gjelbrat, jo vetëm beton. Tirana mund të ishte zhvilluar drejt kodrave, apo Bulevardit. Ajri, zgjidhet duke ulur trafikun dhe ndërtimet, një trotuar duhet 50 javë, dhe ne do i mbyllim në kohë punimet, sidomos punët publike”,-tha në ”Report TV”.
Sa i takon bashkimit me palën tjetër të PD-së, Bogdani nuk ka një plan konkret se si kjo mund të arrihet, në një kohë kur grupi i Alibeajt është kundër primareve dhe paralajmërojnë që do të dalin me kandidatët e tyre. Përtej kësaj, për Bogdanin, primaret, do i bashkojnë demokratët në qëllimin e përbashkët që të fitojnë zgjedhjet.