Kandidat për KLGJ/Sadushi: Gjykata e Lartë nuk ka strategji

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur procesin e intervistave për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, në tre pozicionet e lira në fushat e së drejtës administrative, civile dhe penale. Për tre kandidatët e kualifikuar, Këshilli ka vendosur zhvillimin e intervistave në seanca dëgjimore sot duke filluar në orën 10.00. Ata janë: Sokol Sadushi, Ervin Pupe, Ilir Panda.

Sokol Sadushi është i përzgjedhur si kandidat për profilin administrativ. Ervin Pupe është përzgjedhur në profilin civil ndërsa Ilir Panda është përzgjedhur në profilin penal. I pari që është vendosur para KLGJ është kandidati Sokol Sadushi, i cili ka thënë se Gjykata e Lartë nuk ka strategji.

”Kam një përvoj mbi 33 vjeçare si jurist, avokat, prokuror e më gjerë dhe jam sot këtu për një motiv të fortë, për të qenë pjesë e garës që Gjykata e Lartë pati riformatim. Eksperienca ime është vlerë që ia njoh vetes dhe qenia për 13 vjet i Kushteueses më motivon më shumë. Gjykata e Lartë ka nevojë për legjitimitetin që i duhet, siç kushtetuta e ka përcaktuar. Kam objektivat e mia në lidhje me këtë gjykatë. Aktualisht kjo gjykatë nuk ka strategji dhe kjo pikërisht i duhet. Situatë problematike janë numri i stërmadh i dosjeve në këtë gjykatë, por mund të përballohet me një riformatim. Çështja e pronave dhe disa të tjera mund të bëhen unifikuese, për të shpëtuara nga ata. Në përvojën time ekzistojnë rregullore të tilla për të lehtësuar punën. Me rëndësi është roli i gjykatës me median, nuk ka qenë në rregull, por duhet të përmirësohet që publiku të informohet me transparencë. E kërkoj këtë detyrë se dua të përballem, jam i motivuar dhe bashkë me kolegë të kthejmë Gjykatën e Lartë ashtu siç e do sistemi i drejtësisë. Pa unifikimin e praktikës gjyqësore nuk mund të kemi evadim të çështjeve, pasi duhen vendime unifikuese nëse duam të gjykojmë në kohë çështjet. Sa më shpejt, aq më shpejt do marrë zgjidhje dhe qytetari që pret prej vitesh një vendim”.

SHKARKO APP