Kandidatë unikë për 14 Majin? Berisha i përgjigjet Alibeajt: Me pengje nuk negociohet
Sali Berisha refuzon edhe njëherë tjetër thirrjen nga Enkelejd Alibeaj, që për zgjedhjet lokale të 14 Majit, PD-të të dalin me kandidatë të përbashkët. Berisha tha se me pengje ai nuk bën negociata. Ai tregoi se me Metën ka diskutuar për bashkërendimin e të gjitha forcave për fitore më 14 Maj. Pyetjes nëse do të ketë koalicion me PL, Berisha u përgjigj duke thënë se të gjitha janë në diskutim.
Qëndrimi i Berishës vjen në një kohë që vula është tek grupi i Alibeajt, siç u shpreh edhe pak ditë më parë Gjykata e Apelit, dhe se dje KQZ-ja njohu si kryetar Lulzim Bashën, kjo për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale.
Pyetje: Çfarë diskutuat me Metën dhe a do të keni koalicion me PL?
Sali Berisha: Përgjigja është diskutimi ishte bashkërendim i të gjitha forcave për fitoren e 14 Majit.
Pyetje: Do të ketë koalicion?
Sali Berisha: Që të gjitha janë në diskutim. Ishte diskutim i zgjeruar për fitoren. Shqiptarët presin fitoren nga opozita. Edi Rama e di që është mundur dy herë nga Sali Berisha. Kjo e treta e pret shumë shpejt. E ka të qartë. Bëri gjithçka në mënyrën më të shembull që ka bërë ndonjëherë me McGonigal, George Soros etj, por dështoi në mënyrë të turpshme.
Pyetje: Kush janë partitë opozitare që po shkon drejt finalizimit të koalicionit dhe kush janë ato që janë më skeptike.
Sali Berisha: Në rrafshin politik do të jetë një spektër i gjerë koalicioni. Në rrafshin elektoral janë duke u marrë specialistët e të drejtës zgjedhore me këtë çështje.