Kandidatët e LSI për këshilltarë të Tiranës takime me banorët: Votoni Veliajn

 

Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës zhvilluan një takim me banorët e njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë.

Në këtë takim përveç kandidatëve ishin të pranishëm edhe deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, kryetari i LSI-së për Njësisë 8 Dritan Ylli.

Ylli theksoi se programi i LSI-së është jetik për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, ndaj ai duhet mbështetur me votë në mënyrë që të garantohen më shumë punësime dhe shërbime për qytetarët e kryeqytetit.

“Është një program mjaft i plotë, mjaft jetik për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies, prandaj e meriton votën tonë. LSI-ja nuk ka ndonjë dallim në të gjitha zonat e Tiranës duke pasur parasysh edhe ndarjen e re territoriale, pra e gjithë Tirana me qendrën, e gjithë Tirana multicentrale, pra me disa qendra të saj, duke përfshirë edhe komunat që tashmë bëhen njësh, do të synojmë zhvillimin e njëtrajtshëm të gjithë Tiranës dhe sidomos për Njësinë 8 ku nuk do të ketë më dallime”, tha Ylli.

Ndërsa, Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që përfaqëson qytetarët dhe se duhet mbështetur për më shumë punësim dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

“Ne jemi parti që dimë ta mbajmë fjalën, sepse ne jemi parti që jemi me qytetarin, jemi për qytetarin dhe jo më kot secili prej nesh këtu përfaqëson një njeri si gjithsecili prej jush.

Dua ta kërkoj votën tuaj për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës për z. Veliaj dhe dua ta kërkoj votën tuaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim për secilin prej kandidatëve që u prezantuan sot për të vetmin arsye dhe motiv: sepse ne Bashkinë e Tiranës nuk e duam ta drejtojmë për t’i dalë kundër njërit e kundër tjetrit, nuk e duam as për egot tona personale, por e duam për të qenë me qytetarët, pranë qytetarëve për më shumë shërbime dhe për më shumë punësim.

Plani ynë është konkret, nuk është një plan që fluturon në ajër, por është një plan i prekshëm që ju do ta ndieni që në muajt e parë që qeverisjes së re të Bashkisë së Tiranës”, tha deputetja Mehmetaj.

SHKARKO APP