Kandidatët për Kryetarë Bashkie u caktuan nga krerët e partive.Në Tiranë, 35 % votojnë kandidatin për partinë

 

Përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie është një proces i centralizuar në duart e krerëve të partive.

Ky të paktën është një prej konkluzioneve të studimit të realizuar nga “House of Europe”, i mbështetur financiarisht nga programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Studimi i shtrirë në pesë rrethe të vendit, Tiranë, Berat, Lezhë, Durrës dhe Korçë është realizuar përmes anketave të drejtëpërdrejta, 1 200 të tilla, prej të cilave 200 anketa janë shpërndarë në secilin prej rretheve: Durrës, Lezhë, Berat dhe Korçë, ndërsa 400 anketa janë realizuar në kryeqytet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndër gjetjet kryesore të këtij studimi ishte fakti se të pyeturit mendonin se përzgjedhja e kandidatit për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë ishte e centralizuar në duart e kryetarit të partisë apo kryesisë dhe këtë e mendojnë gati 80% e të pyeturve në të 5 rrethet.

Sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas studimit, shumica e personave të pyetur kishin marrë pjesë në zgjedhjet e shkuara, ndërsa 80% e tyre pranuan se do të merrnin pjesë në zgjedhjet e rradhës për kryetar bashkie. Sa i takon personave që nuk do të merrnin pjesë ata ishin të ndarë mes faktit se nuk besonin se votimi do të sillte ndryshim ose faktit se zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme. Kjo e fundit ishte mendimi dërrmues i të pyeturve në Tiranë (45%) dhe Durrës (54%).

Gjithashtu, të pyeturit vunë në dukje faktin se zgjedhjet në Shqipëri janë pjesë dhe përgjegjësi totale e aktorëve lokal dhe qeverisë, duke lënë jashtë faktorin e huaj. Sipas shumicës së të anketuarve, gati 80% të tyre mendojnë se përgjegjësi kryesore për realizimin me sukses të zgjedhjeve kanë aktorët lokal dhe qeveria, teksa aktorët e huaj u renditën të fundit për nga rëndësia.

Lidhur me arsyet se përse të pyeturit do të votonin njërin apo tjetrin kandidat, në Tiranë dhe Korçë kishte një ndarje të barabartë mes cilësisë së kandidatit, partisë ku ai bënte pjesë dhe programit. Veçanërisht për 35% të të pyeturve kjo e fundit kishte një rëndësi të veçantë. Sa i takon Beratit, Durrësit dhe Lezhës rëndësi të veçantë kishte cilësia e kandidatit.

Një gjetje tjetër e studimit është fakti se shumica e shqiptarëve janë pak të informuar mbi pasojat e reformës administrative, edhe pse ata e vlerësojnë pozitive si nismë. Sipas studimit vetëm në Tiranë 31% e të anketuarve kanë pranuar se e kuptojnë rëndësinë e reformës administrative, ndërsa në rrethet e tjera kjo shifër është më e vogël. Ndërsa sa i takon rëndësisë së reformës në të 5 rrethet është vënë re se mbi 50% e të anketuarve kanë pranuar se reforma administrative ishte shumë e rëndësishme.

Të anketuarit janë pyetur dhe për punën e bërë nga bashkia e qytetit të tyre lidhur me zhvillimin ekonomik, mjedisin etj, ku në Tiranë-Durrës dhe Lezhë mbi 70% e të anketuarve janë shprehur jo të kënaqur, në Lezhë 61%, ndërsa në Korçë 54%.

Ndërsa sa i takon shqetësimeve në komunitet, në të 5 rrethet, gati të gjithë të anketuarit kanë thënë se shqetësim kryesor mbetet papunësia, varfëria dhe korrupsioni, ndërsa sa i takon dhunës në lagje, arsimit dhe ndërtimeve pa leje shqetësimi ishte minimal për të pyeturit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?