Kandidati Belind Këlliçi prezanton aplikacionin TI Tirana: Shërbimet në dorën e qytetarit, në një celular
Kandidati Belind Këlliçi ka prezantuar një prej projekteve më ambicioze për ndryshimin në qytet, “TI Tirana”. Ky aplikacion do të vijë në ndihmë të qytetarëve, me informacione të bollshme, në shumë drejtime. Cilido shërbim do të jetë funksional, dhe në telefonin e çdo përdoruesi. Që nga orari i mbërritjes së autobusit, hapësirat boshe në parkingje, apo edhe rreth eventeve që ndodhin në qytet, si dhe të dhënat e duhura për turistët e vizitorët.
Këtë risi, Belind Këlliçi e prezantoi sot së bashku me ekspertin e fushës, Gent Progni që është dhe pjesë e ekipit të kandidatit për bashkinë e Tiranës.
“Me zhvillimet më të reja në Inteligjencën Artificiale bota po ndryshon në mënyra të paimagjinueshme dhe shumë shpejt. Për të ndjekur hapin e kohës, në projektin tim për Tiranën Inteligjente, TI Tirana, teknologjia do të vihet në përdorimin më të mirë për të krijuar një mjedis urban modern, duke u përqendruar tek ti dhe nevojat e tua të përditshme”, u shpreh Këlliçi.
Këlliçi tha se kjo iu vjen në ndihmë drejtuesve të mjeteve. “Nëse je shofer, ky aplikacion do ta mundësojë të dallosh parkingjet e lira dhe ta prenotosh vendin para se të arrish. Ata që kanë parkingje private, do të mund t’i japin në përdorim sa herë që i kanë të lira dhe të përfitojnë nga kjo. Ata që kanë makina elektrike, do kenë më shumë pika karikimi”, tha Këlliçi.
“Semaforët inteligjentë do të vihen në punë që t’i përshtaten mbingarkesës, duke e shfryrë trafikun. Koshat e mbeturinave përmes sensorëve do të ndihmojnë për një mjedis më të pastër. Me Tiranën Inteligjente, interneti do të jetë falas në të gjitha hapësirat publike dhe vende të caktuara do kenë informacione shtesë si për turistët, ashtu dhe për banorët”, u shpreh ai.