Kandidati i PD në Shijak: Mos e shisni votën, është dinjitet

 

Kandidati i Aleancës për Punë e Dinjitet, Redi Saraçi zhvilloi sot një takim me banorët e Lagjes Dushk në Shijak. Kjo lagje prej kohësh vuan mungesën e ujit dhe rrugëve të shtruara. Saraçi u zotua se premtimet që ka bërë në këtë fushatë nuk janë premtime elektorale por premtime që në katër vite do të materializohen,  Saraçi u ndal në veçanti tek shqetësimi që ka sjellë blerja e votës.

Nuk është vënë asnjë dorë në Shijak gjatë këtyre viteve. Kjo është rrugë që ka bërë Partia Demokratike gjatë mandatit të saj. Nuk diskutohet që brenda katër viteve do zgjidhen gjithë problemet që ju keni. Do zgjidhen jo sepse unë do bëhem kryetar bashkie, nuk kam ardhur këtu për t’ju bërë premtime elektorale. Këto janë premtime sy më sy, mes një qytetari dhe një bashkëqytetari tjetër. Ta harrojnë ata që kanë një mik a një shok a një të afërm. Unë do vlerësoj të majtë e të djathtë, por jo ata që lobojnë kundra duke i bërë presion qytetarëve.

Ky është momenti më i mirë për t’i thënë “stop”. Ne po nuk i thamë “stop” me datë 21, reformat që Edi Rama ka bërë deri tani, do t’i vazhdojë deri në fund. Prandaj ky është momenti adapt. Vota është mjet demokratik, është mjet i lirë dhe është e vetmja mënyrë për të shprehur vullnetin e lirë. Nuk shitet vota, nuk ka qytetarë Shijaku që shet votën. Vota është dinjitet. Ju ftoj me datë 21 të votoni atë që mund të bëj më të mirën për qytetin tuaj”,- tha Saraçi.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe deputeti i zonës Agron Duka, i cili ju kërkoi banorëve që të votonin Redi Saraçin si alterntivën më të mirë. Fitoren e Shijakut Duka e lidhi dhe me marrëdhënien e tij me Parlamentin.

“Nëse unë do të vazhdoj politikisht të jem aktiv, duhet patjetër të fitojmë Shijakun. Sepse, larg qoftë që nuk besoj se ndodh, nëse ndodh e kundërta unë natyrisht, moralisht nuk kam asnjë lloj të drejte t’i kërkoj forcave politike që unë mbështes që dua të rikandidoj.

Natyrisht, me metoda të ndryshme apo duke pas miqësira mund të bëhem prape deputet. Por si zvarranik nuk kam qef të shkoj në parlament. Dua të shkoj në parlament me dinjitet, me burrni dhe me përfaqësim dinjitoz. Jam shumë kranar që jam prej këtij vendi dhe jam shumë krenar që gjatë gjithë kohës jam, siç i themi ne shijaksit, jam guduf me votat e njerëzve të mi e të miqve të mi”,- tha Duka.

SHKARKO APP