Kandidati për Rektor në UT: S’ka pengesë juridike për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 korrik, studentët të votojnë
Zgjedhjet në Universitete do të mbahen më 30 korrik, por me masa të shtuara për të shmangur infektimin me koronavirus. Dekani i fakultetit Juridik, Artan Hoxha, njëherësh dhe kandidati për Rektor në Universitetin e Tiranës, shprehet se procesi i deritanishëm është i rregullt, pavarësisht përpjekjeve sipas tij, të Rektorit Koni, për ta bllokuar atë.
Situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, nuk do të prekë procesin zgjedhor në Universitete.
Në një intervistë për Rtv Ora, dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha, njëherësh dhe kandidati për Rektor në Universitetin e Tiranës, shprehet se janë marrë të gjitha masat që 30 korriku, të jetë ditë zgjedhjesh.
Artan Hoxha: Kemi marrë të gjitha masat që të evitojmë maksimalisht mundësinë e shpërndarjes së virusit në ambjentet tona. Aktualisht nuk ka pengesë ligjore që këto zgjedhje të zhvillohen në afatin e parë sepse duhet të ishin zhvilluar që në muajin maj.
Procesin e deritanishëm e cilëson të rregullt, pavarësisht përpjekjeve sipas tij, të Rektorit aktual Mynyr Koni për ta bllokuar atë.
Artan Hoxha: Senati akademik është mbledhur, ka marrë vendim që KIZ-i aktual të vazhdojë detyrën derisa të përfundojë ky proces zgjedhor. Nëse ne do të ecnim me teorinë e Rektorit dhe pretendimet e tij në Universitetin e Tiranës nuk do të zhvilloheshin dot zgjedhjet.
Fakti se përballë ka 2 garuese, e bën që të investohet edhe më shumë në proces.
Artan Hoxha: Aktualisht janë dy zonja që konkurojnë për Rektor të Universitetit të Tiranës dhe që e bën garën më interesante, më intensive, na detyrojnë të kemi më shumë intensitet komunikimi dhe reflektimi për përgjegjësinë që marrim përsipër.Është një përgjegjësi e madhe të drejtosh Universitetin e Tiranës.
Hoxha apeloi të gjtihë studentët që të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që zëri i tyre të përfaqësohet përgjatë viteve të ardhshme akademike.