Kandidatja e majtë në Gjirokastër padit penalisht fotografen e rivalit të PD-së

 

Kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Gjirokastër, Zamira Rama, ka depozituar një kallëzim penal për shpifje ndaj fotografes së rivalit të saj, Igli Kokalari. Kaq ka mjaftuar që policia të shoqëronte në komisariat studenten, Besa Selfo. Shpifja për të cilën pretendon kandidatja e LSI-së, është thjesht një status në Facebook i fotografes së Kokalarit, ku ajo shkruan “nuk ke shanse të fitosh”, duke iu referuar Zamira Ramit. E reja është shoqëruar në komisariatin e policisë së Gjirokastrës, ku është mbajtur për pak kohë. Më pas është lënë e lirë. Duke komentuar ngjarjen, kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, tha se “është e papranueshme që një koment të cilësohet shpifje dhe akoma më keq që kallëzimin e ka kryer personalisht, Zamira Rami. Liria e shprehjes qenka armiku më i madh i lësëistave. E dënojmë fort veprimin e kandidates formale, Zamira Rami”. Beteja për Bashkinë Gjirokastër është shumë e ashpër. Kjo është hera e dytë që një kandidat i LSI-së tenton ta fitojë këtë bashki, ndërsa pas ndarjes së re territoriale, PD-ja ka realisht shanse ta fitojë këtë njësi vendore, e cila është një bastion i së majtës prej vitesh.

SHKARKO APP