Kantatat e Johan Sebastian Bahut ngazëllejnë në Lajpcig
Kantatat e Bahut ngazëllejnë jo vetëm koret nga e gjithë bota, por edhe njerëzit, që nuk mund ta dëgjojnë muzikën e tij. Festivali i Bahut në Lajpcig, i cili sivjet është tepër i larmishëm, tregon se si funksionon kjo.
88 persona lëvizin në një skenë të madhe nën tingujt e muzikës së Johan Sebastian Bahut. Disa këndojnë dhe lëvizin duart në gjuhën e shenjave, të tjerë performojnë me hapa dhe me gjeste. Të fundit janë në gjendje të dëgjojnë vetëm pak ose aspak nga muzika. Megjithatë shfaqja në sheshin Marktplatz të Lajpcigut e Pasionit Shën Gjonit nga Bahu, historia e vuajtjes së Krishtit, është një përvojë mbresëlënëse si për ata që dëgjojnë ashtu dhe për ata që nuk dëgjojnë.
Sopranoja Susanne Haupt themeloi ansamblin vokal gjithëpërfshirës Sing&Sing 2017 për dashamirës të muzikës, që dëgjojnë apo që nuk dëgjojnë. “Unë e di se çfarë ndjesie është, kur një pakicë duhet të përshtatet me epërsinë e masës”, thotë ajo në një intervistë për Deutsche Welle. Ajo dëshiron t’u mundësojë njerëzve me dëgjim të dëmtuar përjetimin e muzikës. Personat me mungesë dëgjimi në ansambël shprehin lirshëm performancën e tyre muzikore të tekstit dhe muzikës. Për të vepruar ata kanë si orientim këngëtarët dhe gjestet e tyre.
Bahu duroi shumë vuajtje
Kompozitori i muzikës barok Johann Sebastian Bach është së bashku me Ludwig van Beethoven një nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike. Për 27 vjet, derisa vdiq në vitin 1750, ai qe Thomaskantor, (drejtues i korit të mirënjohur të kishës së shën Thomas-it) në Lajpcig dhe drejtor muzikor i qytetit të Lajpcigut. Për Susanne Haupt ai nuk është vetëm një kompozitor universal, por një njeri që ka duruar vetë shumë vuajtje në jetë.
“Bahu mbeti jetim në moshën 10-vjeçare, humbi 10 prej 20 fëmijëve të tij dhe në muajt e fundit të jetës u verbua”. Kjo ndjehet sidomos në kantatat e tij prekëse, thotë këngëtarja: “Askush nuk e ka të garantuar të mbetet i padëmtuar deri në fund të jetës së tij”. Deutsche Welle e transmetoi live koncertin.
Kantatat korale të Bahut
Për ta dëgjuar muzikën e Johann Sebastian Bahut në vendet origjinale të saj, çdo vit në Festivalin e Bahut në Lajpcig vijnë rreth 70.000 njerëz nga mbarë bota. Këtë vit ata vijnë nga më shumë se 50 vende nga të gjitha kontinentet. Shumë prej tyre mund të këndojnë me të tjerët koralet, ariet dhe recitativat e Pasionit të Shën Gjonit, që Bahu i kompozoi në vitin 1724, saktësisht para 300 vjetësh.
Në vitin 1774 u krijuan 50 “kantatat korale”, të cilat janë në qendër të festivalit të sivjetshëm të Bahut. Receta për këto kantata korale tingëllon e thjeshtë. “Bah ka marrë një koral duke muzikuar çdo varg gjatë pjesës me instrumente të ndryshme dhe melodi të ndryshme”, shpjegon drejtori artistik Michael Maul.
Shumë nga koralet, në të cilat mbështetet muzika e Bahut, janë shkruar nga reformatori i kishës protestante Martin Luther, i cili botoi para 500 vjetësh librin e parë me himne protestante. Ai i vendosi në vargje të thjeshta historitë biblike. “Shumë nga këto këngë nuk gjenden më vetëm në librat e himneve luterane gjermane. Ata kanë mbërritur në të gjithë botën”, thotë drejtori i festivalit të Bahut, Michael Maul.
Për shembull korali i njohur “Falënderoni të gjithë Zotin”. Ose korali përmbyllës “Është mjaft” nga kantata e famshme “O Ewigkeit du Donnerwort”, kur Jezusi nuk mund të durojë më mundimin në kryq dhe dëshiron të librohet. Kompozitori Alban Berg e muzikoi këtë korale në koncertin e tij të njohur për violinë në vitin 1935 duke e sjellë atë në shekullin e 20-të. Nën drejtimin e Thomaskantor Andreas Reize, kori i Shën Thomas dhe Orkestra Gewandhaus performuan përveç kantatës “O Eternity du Donnerwort” edhe koncertin për violinë. Violina solo u luajt në mënyrë mbresëlënëse nga violinisti armen Chouchane Siranossian.
Koret nga e gjithë bota krijojnë diversitet
Nën moton Chorale Total 30 kore nga të gjitha kontinentet janë ftuar këtë vit në Festivalin e Bahut për të kënduar dhe festuar kantatat korale të tij. Koret nuk vijnë vetëm nga Gjermania, Evropa dhe SHBA, por edhe nga Australia, Malajzia, Japonia dhe Paraguai. “Ka kudo të rinj, që kanë të interesuar për muzikën e Bahut”, thotë Michael Maul. Koret ndërkombëtare këndojnë në gjermanisht dhe sjellin me vete edhe muzikë nga vendlindja.
Aty do të jetë edhe “Malaysia Bach Festival Singers” me orkestër nën drejtimin e David Chin. Ai ka me vete jo vetëm anëtarë të komunitetit të krishterë, por edhe budistë. Nuk është vetëm muzika e Bahut, por edhe mesazhi i kantatave të tij, që i bashkon njerëzit, thotë David Chin “Aty kalohet gjithmonë nga errësira në dritë, ka gjithmonë një fije shprese”.
Është pikërisht ky qëndrim pozitiv, që u nevojitet njerëzve për shkak të luftërave dhe katastrofave të shumta, thotë ai për Deutsche Welle. Në fillim ai vetë kishte frikë nga Bahu. “Shikon portretin e tij, një burrë i bardhë me një parukë të pudrosur, që nuk ka të bëjë në fakt me Azinë. Bah duket në shumë portrete I zymtë. “Më pas fillon të mësosh muzikën e tij instrumentale dhe marrëdhënia ndryshon nga frika në urrejtje, sepse muzika është shumë e vështirë për t’u luajtur”, thotë Chin. “Por nëse kalon më shumë kohë duke studiuar muzikën e tij dhe duke u njohur me kantatat e tij, atëherë bie në dashuri dhe nuk ka kthim prapa.”
DW/Anastassia Boutsko