Kantieret e rindërtimit në Fushë-Krujë e Bubq shesh xhirimi për vizitat e Ramës, asnjë shtëpi e përfunduar
Në dhjetor te vitit 2020, Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, garantoi se 128 shtëpitë individuale që po ndërtohen në Fushë Krujë do t’u dorëzoheshin familjeve që mbetën pa strehë nga tërmeti brenda muajit mars 2021.
Ahmetaj: Kryeministër, këtu kemi 128 njësi banimi të organizuara në një kompleks njësish me të gjitha ambientet ndihmëse dhe komunitare. Në total në Fushë Krujë do të ndërtohen 15 pallate për të gjitha familjet e dëmtuara dhe këto 128 njësi individuale në këtë kompleks. Besoj që me këto njësi banimi dhe me të gjitha ambientet shoqëruese, komunitare ne mbarojmë në fund të marsit. Tani kanë marrë formë. Brenda marsit i kemi të dorëzuara. Janë 1120 banorë që do strehohen këtu.
Emisioni BOOM ka shkuar në kantieret e rindërtimit në Fushë-Krujë dhe në Bubq.
Afati që këto shtëpi të ishin gati ishte në shkurt, me pas Ahmetaj e shtyu në mars, por edhe 1 muaj pas marsit akoma nuk kanë përfunduar shtëpitë.
Punëtorët thonë se shtëpitë në Fushë-Krujë duan më shume se 1 muaj që të përfundojnë.
“Jo shtëpitë nuk kanë mbaruar. Duhet maksimumi 1 muaj.”
“Nuk kanë mbaruar shtëpitë, njerëzit rrinë me qira.”
“Çfarë marsi thonë, se këto deri në Vit të Ri nuk mbarojnë.”
“Kanë filluar, por nuk kanë mbaruar akoma.”
Ndërsa në Bubq, punimet janë edhe me mbrapa, dhe duket se mund të jenë gati në verë.
“Ato shtëpi duket se nuk do të përfundojnë kurrë.”
“Çadrat thithin lagështirë. Kemi kërkuar të reja, por thonë nuk kemi.”
“Fëmijët nuk jetojnë dot këtu, se ftohen.”
“Nga viti tjetër mund të futemi tek ato shtëpitë ne, se duken qartë që duan shumë kohë të bëhen gati.”
“S’kemi as ku gatuajmë. Kemi vendosur sobë jashtë. Ushqimet i ruajmë si mos me keq.”
Burimi: Ora News