Kaosi në kampin e MEK, avokati Genc Gjokutaj: Viktima ka shenja dhune

Katër orë zgjati aksioni i Policisë së Shtetit dhe forcave speciale në kampin MEK të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Operacioni është kryer në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata pas kërkesës së SPAK. Ndërkohë forcat e policisë shqiptare janë hasur edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp. Urdhrin për kontrolle e ka lëshuar GJKKO, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike.

Fillimisht banorët pretenduan se 2 persona kanë humbur jetën, por Policia thotë se një person dyshohet se ka pësuar arrest kardiak, por nuk ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve.

Policia ka gjetur disa servera nëpërmjet të cilëve janë hackeruar disa institucione të huaja. Qëllimi i kontrollit ka qenë sekuestrimi i këtyre pajisjeve. Brenda kampit ato kishin krijuar një qendër hackerash me të cilën kryenin sulme kibernetik në institucionet e huaja.

Avokati Genc Gjokutaj, përfaqësues ligjor i muxhahedinëve, thotë se personi i cili ka humbur jetën brenda kampit të MEK në Manzë, ka shenja dhune në trup. Ministria e Brendshme thotë se muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen në bazë të së cilës janë strehuar në vendin tonë. Sali Berisha dënon atë që e quajti inkursion agresiv dhe banditesk të Policisë së Shtetit.

“PD dënon terrorizmin kudo që vjen, nuk përjashton mundësinë që brenda muxhahedinëve të ketë edhe terroristë të infiltruar, por PD-ja nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot në kampin e Manzës”, tha Berisha.

SHKARKO APP