Kaosi në Kuvend, Berisha: Shembulli i deputetëve opozitarë të shërbejë si frymëzim dhe apel për çdo shqiptar
Sali Berisha ka vlerësuar rezistencën e deputetëve të opozitës në Kuvend pas burgosjes të Ervin Salianjit. ”Shembulli i deputetëve opozitarë duhet të shërbejë si frymëzim dhe apel për çdo demokrat dhe shqiptar”,-tha Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ”Rruga e Shpresës”.
Fjala e Berishës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore, mirënjohjen më të pakufishme ju guximtarëve, misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari, të kauzës së dinjitetit, kauzës së lirisë, kauzës së votës së lirë, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve. Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin anëkënd vendit të vërtetat që censuron regjimi i narkoshtetit, diktatura e bazuar në lidhjet me krimin, drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt deputetëve të opozitës, të cilët sot i treguan me gjestet dhe aktet e tyre burrërore, shqiptarëve dhe botës se kush është Noriega i Ballkanit dhe Europës. Se kush janë anëtarët e organizatës së tij kriminale. Dëshmuan me revoltën e tyre se narkoshteti ka zëvendësuar shtetin ligjor, Kushtetutën me kodin e mafies, pushtetin e padrinos. Të dashur miq, ju i patë vetë skenat para parlamentit se si mëkatarët, të trembur nga krimet e tyre, silleshin si klandestinë para guximit të deputetëve tanë. Qëndrimi i deputetëve, shembulli i tyre personal duhet të jetë frymëzim për çdo qytetare e qytetar.
Duhet të jetë një apel, një kushtrim për guximin e çdo demokrati e demokrateje, të përballemi me këta pushtetarë që nuk njohin ligj, nuk njohin Kushtetutë, nuk njohin moral dhe që janë të aftë të kryejnë çdo krim, të bëjnë çdo vjedhje vetëm e vetëm për interesat e pushtetit të tyre. Të dashur miq, Shqipëria e burgjeve politike është Shqipëria që lëngon. Është Shqipëria që përzën nga trojet e saj shqiptarët pasivisht. Është Shqipëria që vidhet dhe plaçkitet.
Është Shqipëria që sundohet nga mafia, krimi, që vendosin në rrugë, në qeveri, në gjykata, në polici, në prokurori, në parlament dhe kudo. Bandat më të rrezikshme të Shqipërisë përzgjodhën për ministër rendi bastardin e familjes Hoxha, diktatorit mizor, famëzi në të gjithë botën dhe të gjitha kohërat. Bandat, familjet e mafies emëruan drejtorin e përgjithshëm të policisë, famozin Proda, që mbiemër duhej ta kishte Shullazi.
Miqtë e mi, shteti i drogës, narkoshteti është një kalbësirë që nuk mund t’i rezistojë kurrë fuqisë së revoltës së qytetarëve. Nuk mund t’i rezistojë kurrë guximit të qytetarëve të zemëruar. Nuk mund t’i rezistojë kurrë zemërimit të qytetarëve të plaçkitur, të vjedhur. Nuk mund t’i rezistojë kurrë zemërimit të qytetarëve shqiptarë që duan të votojnë të lirë, që duan që me votën e tyre të përcaktojnë të ardhmen e tyre njëlloj si kombet e tjera. Ndaj dhe 7 tetori është dita e revoltës. Është dita e kushtrimit. Është dita e mosbindjes civile. Është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë!