Kaosi në Parlament, Gazment Bardhi: Duam zgjidhje, por aksioni vijon edhe me përshkallëzim
Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi pas mbledhjes pohoi se vendit i duhet një Parlamentar që funksionon, ndaj dhe tha se opozitarët janë të gatshëm për të gjetur zgjidhje.
“Shqipëria ka nevojë për një Parlament që funksionon, edhe në përgjigje të thirrjes, të nxitjes së partnerëve ndërkombëtare për të pasur një Parlament funksional. Kemi shprehur dhe vazhdojmë të shprehim gatishmërinë tonë për të gjetur zgjidhje për situatën në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.
Po ashtu Bardhi mohoi që mes demokratëve të ketë një dëshirë për t’u tërhequr nga aksioni, teksa nënvizoi se nëse nuk ka një reflektim nga mazhoranca, mendohet edhe përshkallëzimi i tij.
“Ka patur diskutime të gjata nëse është ky momenti për të përshkallëzuar aksionin apo sido ta vijojmë aksionin në Kuvend. Por asnjë prej kolegëve nuk ka propozuar tërheqje nga ky aksion”, theksoi ai.
Sa i përket debateve të brendshme lidhur me katapultimin e tij dhe deputetëve që e mbështesin në strukturat drejtuese të Rithemelimit, kreu i grupit pohoi se ai është zgjedhur me votë si drejtues i deputetëve ndaj i takon të jetë dhe nënkryetar partie.