Kapacitetet spitalore drejt fundit? Rakacolli tregon nëse do të shkojmë drejt rimbylljes
Ditët e fundit Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për shtim të rasteve të reja dhe numri i vdekjeve është i lartë. Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli foli për pandeminë e Covid-19 dhe masat që ka marrë Shqipëria për të përballuar fluksin në rritje të qytetarëve të prekur me Covid-19.
Ajo tha se janë marrë të gjitha masat, ndërkohë theksoi se po bëhet gjithçka për të evituar një rimbyllje të dytë, e cila siç është shprehur edhe vetë kryeministri Rama do të ishte katastrofike për ekonominë.
“Do jenë shumë faktorë. Nuk do të kemi një tregues të vetëm. Do të shikojmë rastet, shtrimet, dhe humbjet e jetës. Do jetë ndërthurje e këtyre faktorëve, që unë shpresoj që mos të ndodhë. Mbyllja varet nga shumë faktorë”, tha ajo në ”euronews”.
E pyetur për kapacitet spitalore për të trajtuar pacientët e prekur me Covid-19, ajo theksoi se ka rezerva të konsiderueshme. Sipas saj, në katër spitalet Covid janë mbi 500 shtretër.