Kapen duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, në pranga dy të rinjtë
Dy persona u arrestuan nga policia në Gjirokastër pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Në pranga ranë shtetasit me inicialet E. T., 19 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe S. L., 18 vjeç, banues në Krujë.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, u organizua puna dhe u bë e mundur lokalizimi i mjeteve dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. T. dhe S. L, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në afërsi të vendit të quajtur “Kthesa e Jorgucatit”, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip “Audi A3” dhe “Mercedes Benz”, tha Policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, 2 aparate celularë dhe 870 euro.
Operacioni policor i koduar “Muzgu 2” u finalizua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimet e FRONTEX-it.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.