Kapen me 186 km/h, Policia pezullon 186 patenta dhe arreston 43 shoferë (VIDEO)
Gjatë fundjavës në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë nga Policia Rrugore 43 drejtues mjetesh, nga të cilët 17 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Policia informon se gjatë fundjavës në të gjitha akset rrugore që monitorohen me radarë, pavarësisht fluksit shumë të lartë të automjeteve, janë konstatuar shumë drejtues mjetesh, qoftë ditën ashtu edhe natën që qarkullonin me shpejtësi shumë të lartë, deri në 186 km/h në Bypass të Fierit dhe 185 km/h natën në Sauk-Teg në Tiranë.
”Në këtë kuadër janë pezulluar 186 leje drejtimi, nga të cilat 125 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 55 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 6 për qarkullim në sens të kundërt. Janë ndëshkuar me masë administrative 4981 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Falë telefonatave që shpëtojnë jetë nga qytetarët dhe reagimit të menjëherëshëm e profesional të Policisë Rrugore të Tiranës dhe asaj të Lezhës janë parandaluar tre ngjarje të mundshme rrugore me pasoja të rënda për jetën”,-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.