Kapen me heroinë në makinë, arrestohen 4 persona

Katër persona janë arrestuar në Lezhë, pasi i është gjetur dhe sekuestruar 50 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Droga ishte e fshehur në njërin nga automjetet me të cilin udhëtonin të rinjtë, dhe ishte e ndarë në 10 qese.

Në sajë të operacionit antidrogë të koduar “Autostrada”, blutë e Lezhës kanë bërë të mundur ditën e djeshme ndalimin dhe arrestimin e katër shtetasve: Denis Shema, vjeç 32, banues në Shkodër. Kushtrim Kraja, vjeç 27, banues në lagjen “3 Heronjtë”, Shkodër. Ridvan Keqi, vjeç 31, banues në Fushë Kuqe, Kurbin. Saimir Keqi, vjeç 37, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

Policia e Lezhës njofton se arrestimi i tyre u bë në autostradën Lezhë-­Shkodër, në vendin e quajtur Mabe, në Lezhë, ku gjatë kontrollit u konstatua edhe lëndë narkotike. Katër të rinjve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 (pesëdhjetë) gr lëndë narkotike, e dyshuar si Heroinë, të ndarë në 10 qese; 2 (dy) automjete; 8 (tetë) telefona celular; dhe 1 (një) peshore elektronike.

Policia e Lezhës po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndëras materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, neni 283 i Kodit Penal.

SHKARKO APP