Kapen në momentin e këmbimit të “mallit”, arrestohen 4 shtetas. Policia jep detajet
Policia e Tropojës ka vënë nën pranga 4 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë në momentin e këmbimit të 518 gr lëndë narkotike.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për kultivim dhe shitje të kanabisit.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë, finalizuan me sukses operacionin antikanabis të koduar “Porosia”.
Si rezultat i operacionit, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. B., 45 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë;
E. H., 32 vjeç, banues në Bajram Curri, Tropojë;
P. M., 52 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë;
F. M., 19 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë;
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga Policia në momentin e këmbimit të 518 gr. lëndë narkotike.
Nga veprimet hetimore këta shtetas dyshohen si autorë të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Shoshan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.
Gjithashtu, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit punonjësit e Policisë, në fshatin Bradoshnicë, Tropojë, zonë e pyllëzuar, gjetën disa fidanë narkotikë, në tentativë për t’i kultivuar.
Janë shpallur në kërkim 3 shtetas, S. P., A. P. dhe S. S., banues në Tropojë, si autorë të dyshuar të tentativës për kultivimit të bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit T. A., kryetari i fshatit Bradoshnicë dhe shtetasi B. L., rojë mjedisore, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë duke kontrolluar çdo cep të territorit dhe në zonat më të largëta, falë përdorimit të flotës së dronëve apo helikopterëve.