Karantinë me familjen në rrethe, braktisen banesat me qira në Tiranë
Koronavirusi ka ulur kërkesat për blerjen apo marrjen e apartamenteve me qira. Ekspertët e agjencive imobiliare shprehen se në këto dy javë ka një numër të lartë të familjeve që kanë lënë banesat ku jetonin me qira, duke u kthyer në banesat në rrethe, apo dhe pranë prindërve.
Kryeqyteti ishte epiqendra e shpërthimit të COVID 19 dhe si e tillë solli frikë dhe panik te shumë qytetarë.
Ndikimi në ekonomi nuk është vetëm në mbylljen e lokaleve apo bizneseve.
Agjensitë imobilare kanë mbyllur zyrat për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, por ajo që vihet re është lënie në masë e apartamenteve në kryeqytet.
Agjentët imobilarë shprehen se ritmi i kërkesave për blerje dhe qira ka rënë ndjeshëm që nga dita e parë e shfaqjes së Covid 19.
Në luftën ndaj virusit të padukshëm por edhe pas mbylljes së insitucioneve arsimore, shumë kanë zgjedhur të braktisin apartamentet me qira dhe të kthehen në rrethe apo të qëndrojnë në banesat e prindërve.
Megjithatë deri më tani, çmimi i apartamenteve mbetet ende i pandryshuar.
Ekspertë të tregut imobiliar shprehen se pritet që efektet të ndihen më pas.
Për shkak të situatës, agjencitë punojnë vetëm në orare të reduktuara, kjo edhe për shkak të mungesës së kërkesës.