Karrige-thyeri dhe fati i Shqipërisë!
Nga Nora Malaj, ish-deputete e LSI
Nën dirigjimin dhe nën piskamën retorike të një Kryeministri që e ndjen karrige-thyerjen sot Parlamenti i deputetëve robotë, votoi një nga dokumentet më të turpshme, duke minuar demokracinë dhe e duke nxjerrë cullak situatën, se për të e sektin e tij rilindas, i rëndësishëm është pushtetit dhe vënia në diktat e popullatës dhe vendit nga frika se tashmë karrigeve të pushtetit iu janë thyer këmbët dhe me vullnet të lirë askush më nuk i voton.
Qartë e pastër, pasi i fyeu, i “rrahu” e nuk u la gjë pa thënë deputetëve në Parlament, i rreshtoi si robotë që të votonin Kodin, dokumentin më antidemokratikë ndonjëherë, duke treguar se ku është katandisur Parlamenti.
Turp që historia do ta shkruajë në faqet më të errëta të Parlamentarizmit dhe historisë së tij.
E nuk vonoi dhe Parlamenti Europian reagoi me deklaratën e tij:
“Deklaratë e Përfaqësuesit për Politikën e Jashtme të PPE në Parlamentin Europian, Eurodeputeti Michael Gahler:
Duke votuar sot shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Evropian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet.
Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin evropian të Shqipërisë. Më saktësisht, shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit rrezikon të bllokojë dhe të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave të pranimit në BE.
Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq. Ne i bëjmë thirrje Presidentit ti kthejë ligjin e sotëm Parlamentit. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar.”
Po një gjë është e vërtetë: Popullit i ka ardhur në “majë të hundës” dhe mezi po pret të shpërthejë. Një gjë është e qartë si drita e diellit, “Rama Ik!” i del natyrshëm pas çdo ofshame që nxjerrë kur nuk ka shtëpi ku të fusë kokën, të ardhura për të jetuar, shkolla për të shkolluar fëmijët, punë për të jetuar dhe liri aq shumë të ëndërruar.
Teksa lexon ketë deklaratë ndjen se sa i braktisur dhe i marrë nëpër këmbë është ky popull nga kjo qeverisje.
Një gjë është e qartë se ky popull nuk është një shoqëri delesh, që të lejojë të drejtohet nga një qeveri ujqërish.
Fundi është i shpejtë! Pranvera e ardhshme, do të jetë largimi nga sekti dhe njeriu që dhe fëmijët në korri i thërrasin: “Rama Ik!”
Kur nuk të do fëmija, mos prit të të dojë Perëndia!