Kasaphana në Greqi, 6 viktimat janë turq jo shqiptarë. Pistë larja e hesapeve

Kasaphana me 6 persona të vrarë në qytetin bregdetar të Artemidës në Atikën Lindore ka tronditur mbarë Greqinë. Mbrëmjen e së hënës mediat greke nxituan të raportonin menjëherë që viktimat janë shqiptarë, por vetëm mëngjesin e sotëm u mësua e vërteta.

Sipas medias greke “Kathimerini” 6 burrat janë konfirmuar se janë shtetas turq dhe jo shqiptarë, siç vetë mediat greke raportuan fillimisht. Viktimat posedonin kartat e identitetit franceze. Ka gjasa që konfuzioni se mund të ishin shqiptarë, ishte fakti se brenda mjetit u gjetën dhe disa pasaporta shqiptare, që mendohet se kanë qenë false.

Për masakrën ka reaguar edhe Ministria e Brendshme shqiptare. “Zyra e Ministrit te Brendshëm ka ndjekur prej momentit te pare ngjarjen ne Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kane shtetësi turke me karta identiteti te një vendi te BE”,-njofton Ministri i Brendshëm.

Ata u qëlluan në një rrugë të izoluar, ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane. Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij. Sipas informacioneve, skenari i konsideruar si më i mundshmi nga autoritetet është se bëhet fjalë për një larje hesapesh, lidhur me një rast droge.

SHKARKO APP