Kastriot Islami: Rama, ujk i zgjebosur që do të fillojë të lëpihet
Kastriot Islami e sheh tërësisht racionale reagimin e qindra të rinjve nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë.
Në një postim në “Facebook”, Islami shkruan se ata e konsiderojnë kryeministrin Edi Rama si të shkuar dhe tërësisht përgjegjës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Ai gjithashtu shprehet se kjo i bën ta shohin Ramën një “ujk të zgjebosur e pa dhëmbë”, që me shumë gjasa në vijim do të ndryshojë strategji në komunikim e dalje publike.
Statusi i plotë i Kastriot Islamit në Facebook:
Disa nga të rinjtë duken të ndërgjegjësuar për misionin e tyre dhe janë të qartë, si përsa i përket synimeve ashtu edhe rrugëve e mënyrave të arritjes së tyre… Ndërkohë që shpërthimi ishte në dukje spontan e emocional, reagimi ishte adekuat dhe vazhdimi duket racional… Ata janë të vendosur për veprimet e tyre se kanë bindjen që e “vërteta” dhe e “drejta” janë në anën e tyre. Po ashtu mendojnë se e ardhmja iu përket atyre ndërkohë që Ramën e konsiderojnë të “shkuarën”…dhe tërësisht përgjegjës për gjëndjen… Ata më së fundmi, me guxim e vendosmëri kanë vrarë armikun e tyre të fundit, “frikën”, dhe kjo i bën ta konsiderojnë Ramën një “ujk të zgjebosur e pa dhëmbë”, që uluret e cirret në ditët e tij të fundit… Që nuk është aspak cudi që në ditët e javët në vijim të fillojë të jargavitet e lëpihet…