Kastro Ziso: Mallkuar qofshin mjekët shqiptarë

Kantautori Kastro Ziso, emri i vërtetë i të cilit është Klevis Bega, ka shpërthyer publikisht në tërbim dhe mërzi kundër mjekëve dhe në tërësi kundër gjithë sistemit mjekësor në Shqipëri.

Ai u ka bërë vetëm një “urim” mjekëve dhe sistemit shëndetësor: “Mallkuar qofshin mjekët dhe mallkuar qoftë i gjithë sistemi i shëndetësisë shqiptare! I zënçin hakat e nënës time dhe i të gjithë atyre grave dhe njerëzve që kanë vdekur për derman në këto spitale”!

Këto mallkime publike i ka bërë duke rrëfyer në studion e Arian Çanit në “Zonë e lirë”, humbjen e nënës së tij pak ditë më parë nga një sëmundje e rëndë.

Sipas Kastros, faji në këtë pjesë është edhe i politikës dhe i qeverive.

Ai ka thënë se “ky sistem është i kalbur dhe i mallkuar. Të gjithë derrat një turi kanë dhe siç hanë lëkurat e shalqinit, mund të hanë aty për aty edhe foshnjën e tyre. Nuk bëjnë dallime”.

Sipas Kastros, mjekësia shqiptare ka dështuar dhe çdo gjë tjetër është thjesht një reklamë.

Gjatë intervistës, ai shfaqi edhe shenja tensioni sa herë iu rikthye çështjes së mjekësisë shqiptare dhe gjendjes së saj reale.

Kastro foli për sakrificën e dhjetëra të sëmurëve që përjetojnë gjatë kurimit në Onkologjikun e QSUT-së.

Kostot e shtrenjta të medikamenteve, si dhe pamundësia ekonomike e shumë shqiptarëve për t’u kuruar, sipas Kastros, është një ferr i vërtetë dhimbjeje dhe mungesë shprese.

Ndërsa nuk munguan edhe mallkime nga ana e tij për gjendjen dhe situatën që këta persona përgjegjës e kanë shndërruar mjekësinë shqiptare.

Më tej, këngëtari ka treguar edhe aspekte nga jeta e tij me nënën.

“Shumë herë kam gabuar. Pata përshtypjen sikur kisha gabuar në çdo gjë kur ajo ishte në ditët e fundit. Unë kam gabuar shumë dhe ajo më ka mbështetur gjithmonë”, – tha ai.

Ai tregoi se nëna e tij u nda nga jeta parakohe në moshën 58-vjeçare nga një sëmundje e keqe.

“Isha përgatitur pasi e dija lajmin për sëmundjen e saj, por nuk ka përgatitje për humbjen e nënës. Njeriu është i prirur të mos e afrojë vdekjen. Unë nuk kam besuar kurrë në ferr apo parajsë, por kur të vdes nëna beson vetëm në parajsë”, – tha Kastro i përlotur.

Duke përfunduar se tashmë jeta e tij ka ndryshuar shumë.

“Jeta tani më ka ndryshuar shumë. Përveç dhimbjes, por kam ndryshuar sepse humbja e nënës qenka shumë e rëndë”, – tha ai.

SHKARKO APP