Katër mijë studentë në konvikte, pagesa për një muaj 4 mijë e 500 lekë
Rreth 4 mijë studentë janë regjistruar në këtë prag të nisjes së vitit të ri akademik në konviktet e Qytetit Studenti. Kushtet dhe shërbimet mbesin sërish problem, por të rinjtë shprehen se është tarifa ajo që i detyron të jetojnë në të. Drejtorja, Anila Shehu, thotë se ka ende vende të lira por kushtet janë ato të mëparshmet.
Një javë para nisjes së vitit të ri akademik, Qyteti Studenti ka nisur të gumëzhijë . Janë maturantët që sapo kanë fituar të drejtën e studimeve ata që i shikon në dyert e konvikteve.
Pagesa nuk ka ndryshuar, është 4 mijë e 500 lekë për një muaj. Por disa prej studenteve shprehin pakënaqësinë për kushtet që kanë gjetur.
Thonë se çmimi është një nga arsyet qe kanë zgjedhur konviktet.
Janë regjistruar rreth 4 mijë studentë, por ka ende dhoma të lira pasi Qytet Studenti ka një kapacitet prej 5000 vendesh.
Anila Shehu: Janë 819 djem dhe 3110 vajza. Vende të lira ka, çdo student është i lirë të vijë. Ne paraqesim të gjitha vendet bosh dhe ata janë të lirë të zgjedhin.
Në këto tre muaj, asnjë godinë nuk i është nënshtruar rikonstruksionit total, por Drejtorja Anila Shehu thotë se janë kryer disa investime e shërbime mbështetëse.
Anila Shehu: Për aq mundësi sa kemi në të gjitha dhomat e Qytetit Studenti janë bërë riparime të ndryshme.
Vitin e ardhshëm, falë një donacioni të qeverisë gjermane, 8 konvikte do t`i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë. Po ashtu 3 nga 4 godinat ku strehohen familjarët t’ju rikthehen studentëve.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

