Kathimerini: Tensionohen marrëdhëniet Greqi-Shqipëri për kufirin detar

E përditshmja greke “Kathimerini” raporton sot se marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës ndodhen në një fazë tejet të vështirë. Shkak për këtë tensionim mes dy vendeve fqinje, sipas medias greke, është bërë kërkesa e qeverisë shqiptare, që Greqia të ndërpresë kërkimet për hidrokarbure në zonat detare pranë Shqipërisë, me argumentin se cënohet shelfi kontinental i vendit.

Kërkesa përkatëse i është paraqitur ambasadorit grek në Tiranë Rokanas, – raporton “Kathimerini”.

Por Athina është zemëruar jashtë mase nga kjo lëvizje, dhe madje ky pezmatim ka qenë shkaku i anulimit të një takimi që ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, kishte planifikuar të premten me ambasadorin shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.

“Kathimerini” vë gjithashtu në dukje se ministria e jashtme greke po përgatit përgjigjen zyrtare ndaj notës së Tiranës, një përgjigje që sipas gazetës, do të jetë në nivel politik dhe juridik.

SHKARKO APP