Kavaja me Park Rekreativ, Isa Sakja: I domosdoshëm për qytetin
85 mijë metra katrorë është hapësira e Parkut Rekreativ të Qytetit të Kavajës, i cila çdo ditë e më shumë po merr formën e plotë për t’u kthyer në qendër multifunskionale, çlodhëse dhe argëtuese për qytetarët. Kënde lojërash, terrene sportive, shatërvane, sheshpushime janë disa nga pjesët e këtij projekti.
Në një intervistë për News24, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja tha se ndërtimi i Parkut Rekreativ nuk është thjesht një premtim elektoral i mbajtur por një investim i domosdoshëm për qytetin e tij. Gjatë inspektimit të punimeve për parkun, krybashkiaku u shpreh se ky projekt do të përfundojë brenda afatit të parashikuar, që eshtë data 1 Maj i këtij viti. Sakja thotë se synohet që turistët krahas bregdetit, vizitojnë edhe qytetin e Kavajës.
Kryebashkiaku i Kavajës u shpreh gjithashtu se shumë shpejt do të ndërtohet edhe godina e kopshtit, e cila do të bëjë të mundur që fëmijët të kenë ambiente me kushte moderne dhe lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë.
Parku Qendror Rekreativ, i përcaktuar si zemra e gjelbër e qytetit, do të shërbejë si pikë frymëmarrje e banorëve të cilët aktualisht vuajnë nga mbingopja e urbanizimit të hapësirave të përbashkëta komunitare, nga materialet e ngurta siç janë betoni apo asfalti. Përpos investimeve në qytet Bashkia e Kavajës ka nisur punën edhe për rikonceptimin e qendrave në dy njësi administrative dhe disa rrugë lokale.
KOHA JONË SONDAZH

