KE pranon “gabimin” për shfaqjen e Von der Leyen në videon zgjedhore në Kroaci
Komisioni Evropian tha të hënën se ka qenë gabim që presidentja Ursula von der Leyen është paraqitur në një video zgjedhore për partinë udhëheqëse të Kroacisë, në prag të zgjedhjeve të së dielës atje.
Von der Leyen, ish-ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, u shfaq në klip së bashku me figura të tjera të Partisë Popullore Evropiane.
Ajo, së bashku me ish-kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, ish-presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, kancelarin austriak, Sebastian Kurz, e të tjerë thanë fjalët: “Kroacia e sigurt”.
Von der Leyen tërhoqi vëmëndjen, sepse gjatë paraqitjes së saj të shkurtër, ajo foli përpara një flamuri të BE-së në një korridor të selisë së Komisionit, siç bën në videot zyrtare të BE-së.
“Me shfaqjen e njëanshmërisë, ajo rrezikon besimin dhe dëmton zyrën [e KE-së]”, tha deputeti i Parlamentit Evropian, Jens Geier.
Si të gjithë komisionarët evropianë, von der Leyen detyrohet nga Kodi i Sjelljes që të mos sillet në atë mënyrë që e minon perceptimin publik të pavarësisë së KE-së.
Von der Leyen pranoi se çdo mesazh i natyrës politike duhet t’i “respektojë absolutisht” rregullat e Kodit, u tha gazetarëve zëdhënësi i saj, Eric Mamer.
Ai tha se videoja është xhiruar të premten me kërkesë të Zyrës së Kryeministrit kroat, “së bashku me video-mesazhe të tjera që presidentja ka qenë në proces regjistrimi”.
“Gabimet janë bërë”, tha Mamer, megjithëse këto ishin “teknike” dhe nga “stafi”.
Zgjedhjet në Kroaci u mbajtën të dielën dhe rezultatet e para treguan se partia e kryeministrit Andrej Plenkoviq, HDZ, është në epërsi të madhe./REL