Ke vjedhur pronën?Konfiskim dhe burg

 

Pas 24 vitesh nga ndarja private e pronës qeveria ka vendosur të ndërhyjë seriozisht në këtë sektor ku abuzimet janë të mëdha se në çdo vend tjetër. Dje nga qyteti i Vlorës u nënshkrua një marrëveshje ndërinstitucionale e bashkëpunimit për mbrojtjen e pronës nga drejtuesit e institucioneve; Agjencia Kombëtare e Kthimit të Pronës, Prokuroria e Përgjithshme, Avokatura e Shtetit dhe Policia e Shtetit. Marrëveshja ka si qëllim mbrojtjen e titujve të pronësisë dhe verifikimin e rasteve kur ka abuzime nga hipotekat dhe institucionet e tjera. Një marrëveshje e tillë u cilësua nga Kryeministri Edi Rama si një sinjal i seriozitetit të qeverisë për të respektuar pronarët e ligjshëm dhe për të dënuar abuzimet. “Askush nuk do ta gëzojë pronën e grabitur”, – tha kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që verifikimi i titujve të pronësisë të cilët janë dhënë në mënyrë të paligjshme, hap një tjetër plagë të problemit me titujt e pronësisë. Një pjesë e vendimeve janë dhënë nga gjykatat e vendit duke njohur ligjërisht prona që në fakt nuk kanë shkuar tek i zoti, por tek ata që kanë dhënë para  ose kanë falsifikuar dokumentet. Kryeministri paralajmëroi se ndëshkimi për vjedhjen e pronave nuk do të prekë vetëm “pronarët”,  por edhe gjyqtarët që kanë dhënë vendime të pabazuara në asnjë ligj. “Po të ishte kjo një luftë vetëm me grabitësit do të ishte shumë e lehtë. Po kjo nuk është një luftë vetëm me grabitësit, po dhe me gjykatësit, sepse janë palë kundërshtare në këtë proces. Gjykatës të cilët fshihen pas vendimesh kolegjiale që kanë marrë dhe formë të prerë në disa shkallë dhe që në këto kushte aktualisht janë të pandëshkueshëm. Por vetëm aktualisht ama. Sepse jam i bindur që reforma në drejtësi, do të krijojë kushte të reja për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të ndarë në mënyrë ligjore e profesionale kush meriton të mbajë togën e gjykatësit”, – tha Kryeministri.

Jo rastësisht, vendi për të nisur një fushatë të tillë u zgjodh qyteti i Vlorës. Në rang vendi, Vlora është një nga zonat me më shumë abuzime me pronat. Në gjithë vijën bregdetare të këtij qarku, ka më shumë pronarë sesa në në qytet. Kur dihet se pjesa kryesore e zonave turistike, sidomos ato larg qytetit, kanë vetëm pronar shtetin. Por kjo nuk i ka penguar gjykatësit që të njohin t’i “gjejnë” pronarin edhe detit!! Jo vetëm kaq, por gjykata u ka njohur pronësinë edhe disa pronarëve në afërsi të zonave ushtarake.

Të dhënat e Agjencisë së Kthimit të Pronave flasin për rreth 50 mijë dosje pronash me probleme. Gjë që do të thotë se për këto prona ose vendimet janë të parregullta, ose ka më shumë se një pronar që u është drejtuar gjykatave. Këtij lëmshi juridik i shtohen edhe pretendimet legjitime të ish-pronarëve, pasuria e të cilëve është tjetërsuar nga vendimet e hipotekave ose të gjykatave. Ndaj numri i abuzimeve dyshohet se është disa herë më i madh.

Nëse ka një fenomen që e ka bllokuar ekonominë e vendit, që gjeneron korrupsion marramendës, është çështja e pronave. Shumica e investitorëve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri, kanë hapur biznese minimale, ose janë larguar fare nga vendi, kryesisht për shkak të problemeve të pronësisë së tokës. Për të njëjtën tokë ku investohet mund të dalë një ish-pronar me tapinë e vjetër, një pronar i ri me ligjin 7501 dhe një pronar që tund në dorë një vendim gjykate. Kjo ka ndodhur dhe në ato raste kur toka figuron si shtetërore, por ka gjyqtarë që çuditërisht kanë arritur të gjejnë dhe pronarët. Çudi të tilla e bëjnë fenomenin e çështjes së pronave shumë të vështirë për t’u zgjidhur brenda pak kohe.

Agjencia e Kompensimit të Pronave ka nisur prej dy vitesh verifikimet. Në prokurori janë me mijëra denoncime për abuzime. Mbetet të shihet nëse një nismë e tillë do të arrijë të sjellë rezultate konkrete. Por çështja e pronave nuk është vetëm një problem ligjor dhe ekonomik, por edhe social për vendin. Nga viti 1991 deri në vitin 2011, në Shqipëri numërohen mbi 8 mijë të vrarë për çështjet e pronës. Një bilanc i tillë është njëlloj sikur në Shqipëri të ishte zhvilluar luftë. Ndaj zbatimi i një reforme të tillë më shumë se premtim elektoral dhe qeveritar i mazhorancës së sotme është një detyrim kombëtar.

Edi Rama e hapi lojën për arrestimet e vjeshtës dhe pas vjeshtës. Dhe vendosjen e drejtësisë mbi drejtësinë e derisotme.

SHKARKO APP