Këlliçi: 8 çështjet që qeveria nuk i ka dhënë zgjidhje për studentët
Kryetari I FRPD, Belind Këlliçi, denoncon faktin që Ministria e Arsimit nuk ka asnjë plan për rikthimin e studentëve në auditore dhe konvikte, duke ngritur 8 çështje për të cilat qeveria nuk ka dhënë zgjidhje.
‘Ndonëse është lajmëruar se në qershor do të kthehen një pjesë e studentëve në auditore, ende nuk ka asnjë plan konkret se si do të mbrohet shëndeti i studentëve dhe pedagogëve!
Ministria e Arsimit s’ka ende asnjë plan për këtë çështje, ndërkohë që e gjithë Europa po ndërmerr hapa të vegjël, duke patur prioritet kryesor shëndetin e qytetarëve.
Sot ende nuk e dimë se:
Cilat janë masat konkrete të marra?
Si do të jetë shpërndarja e studentëve në auditore?
A ka ambjente apo hapësira të mjaftueshme?
A ka numër të mjaftueshëm pedagogësh për të dhënë mësim në disa auditorë të së njëjtës lëndë njëherësh?
Si do të bëhet dizinfektimi i ambjenteve?
Si do të veprohet me fletët e provimeve?
Një numer i madh studentësh vijnë nga rrethet dhe ende nuk dihet:
Si do të bëhet akomodimi i tyre nëpër konvikte për të ruajtur distancimin social?
Sa studentë do të qëndrojnë në një dhomë?
Në vend që tu japë zgjidhje këtyre çështjeve të rëndësishme për shëndetin e studentëve, Ministria e Arsimit e ka mendjen të kapë dhe universitetet me zgjedhje farse, në kundërshtim me ligjin dhe frymën e Kushtetutës dhe në një kohë kur sfida kryesore në vend është jeta dhe shëndeti i qytetarëve!
Sot shumë vende kanë shtyrë zgjedhjet politike, siç është dhe rasti konkret i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Ministria e Arsimit tonë kërkon të bëjë zgjedhje në universitet, pa studentë e pa pedagogë! Këtë absurd e standard vetëm Rilindja mund ta arrijë!’