Këlliçi dhe Alimehmeti, përballë në raundin e 11 dhjetorit. Votime edhe në 6 bashki
Procesi i Primareve në PD-në e Sali Berishës, nuk nxorri një kandidat për bashkinë më të madhe, atë të Tiranës. Nga 7 kandidatë, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti dolën në balotazh dhe do të jenë përballë në raundin e 11 dhjetorit, kur anëtarët dhe simpatizanët e PD-së, do të thirren për të votuar.
Numri total i votuesve që kanë votuar në Tiranë është 8470. Vota të vlefshme kanë qenë 8441 dhe të pavlefshme 29. Balotazhi me vendim të Kryesisë është përcaktuar për një javë, pra me datë 11 dhjetor. Pas këtij rezultati Këllici me anë të një reagimi në Facebook falënderoi demokratët që e mbështetën.
“Kur vjen radha për të folur, unë zgjedh të flas me votë. Ky është karakteri im. Do të shkojmë në raundin e dytë, për të bindur çdo demokrat se ky proces është garancia më e madhe që opozita të ketë kandidatin e saj më të fortë në betejën e majit”.
Për mjekun Alimehmeti mbështetja që i dhanë të rinjtë në këtë proces ishte përkrahja me e madhe për të. “Një garë e bukur dhe pozitive. Faleminderit çdo njeriu, që me një mesazh, me një shtrëngim duarsh apo me një përshëndetje të përzemërt, ka qenë një faktor thelbësor nxitës çdo ditë për mua. Sonte pushojmë, nesër rifillojmë”.
Bashkia e Fierit, Krujës, Matit, Librazhd, Mirditë dhe Dibrës pritet të kalojnë në balotazh njësoj si Tiranë. Rezultatet paraprake nxorën fitues në Durrës ish-deputetin Igli Cara, teksa në Elbasan mori konfirmim i vetmi në garë, Luçiano Boci.