Këlliçi: Nuk kam ndërmend të marr vila jashtë Tiranës dhe të pasurohem në kurriz të qytetarëve
Deputeti demokrat Belind Këlliçi, kandidati për primaret brenda Partisë Demokratike, për të qenë ai propozimi i opozitës për Bashkinë e Tiranës, thotë se politikanët tanë jetojnë në periferi, aty ku ajri është më i pastër, ku nuk ka zhurmë dhe shumë herë më pak beton.
“Unë e kam komoditetin politik, por gjykoj që duhet të jap gjithçka nga vetja dhe të mos mbetem dëshmitar i shkatërrimit të qytetit tim, siç ka ndodhur në këto 8 vite. Ndërmarr një hap me risk të jashtëzakonshëm, edhe duke lënë mandatin, por kam bindje të plotë se do t’ia dal për shkak të modelit që ofroj.
Politikanët tanë, përfshirë edhe Erjon Veliajn, jetojnë në periferi, aty ku ajri është më i pastër, ka më shumë hapësira, ku nuk ka zhurmë dhe shumë herë më pak beton.
Unë jetoj në qendër të Tiranës, jam lindur e rritur në “Myslym Shyri”, prindërit i kam ende aty dhe vetë jetoj 7 minuta larg tyre. Nuk kam ndërmend të marr vila jashtë Tiranës dhe të pasurohem në kurriz të qytetarëve”.