Këlliçi prezanton para demokristianëve 5 prioritetet për Tiranën: Ndëshkoni me votë ata që vjedhin
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ishte i pranishëm në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokristiane, një ndër partitë formuese të këtij koalicionit.
Në takimin e zhvilluar me strukturat në kryeqytet, lideri i kësaj partie, Nard Ndoka, e cilësoi Belind Këlliçin një misionar, jo vetëm për të ndryshuar Tiranën por edhe një misionar politik, për të sjellë një model të një politikani të ri dhe të suksesshëm në shërbim të qytetarëve.
“Belind Këlliçi sot ka një mision, të jemi të qartë, nuk është thjesht një kandidat. Unë mund ta quaj një “misionar politik”, për faktin se mbi vete mbart disa kauza. E para është, të rikthejmë besimi te të rinjtë, të rikthejmë shpresën te të rinjtë, edhe në aspektin e qëndrimit dhe punësimit në Shqipëri por edhe në aspektin politik. Ne patëm dy modele të dështuara për fatin e keq, se gjithmonë flitet se të rinjtë zënë vendin e tyre, por dështuan. Dështoi Lulzim Basha me turp, dështoi Erion Veliaj me turp. Pra një njeri që është më i keq se padroni i tij, Edi Rama. Një njeri që nuk u bë asnjëherë një menaxher, politikan, burrë shteti jo e jo. Pra janë këto dy modele të dështuara, që padiskutim që misioni i Belindit Rritet akoma më shumë”-tha Ndoka.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokristian, theksoi se sot Tirana është bërë një qytet i pajetueshëm për shkak të ndërtimeve pa kriter, rafikut dhe kostove të jetesës. Ndoka u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mbështesin Belind Këlliçin në 14 Maj.
“Ato e kanë bërë jetën më të vështirë qytetarëve, siç është Tirana. Pse urrehet sot Erion Veliaj? Çdo njeri bën dallimin, ka një trafik më të rënduar, ka ndërtime jashtë kritereve, që gjithësecilit ia ka bërë jetën e mërzitshme, ka arrogancë, nuk ka transparencë, abuzohet me taksat tona. Pra janë gjithë këto modele, që çdo njeri e shikon se Tirana jo vetëm që nuk ndryshuar për mirë, por ka bërë regres, duke na vështirësuar jetën edhe ne”-u shpreh Nard Ndoka.
Duke falenderuar Partinë Demokristiane dhe anëtarët e saj që e mbështesin në garën për Bashkinë e Tiranës, jo vetëm atë, por të gjithë kandidtët e opozitës, Belind Këlliçi u zotua edhe para demokristianëve, se pas 14 majit do të punojë për realizimin e premtimeve.
Një ndër to, është ai për transportin publik falas, që sipas Belind Këlliçit do t’iu lehtësojë jetesën 200 mijë qytetarëve në ditë.
“Kjo që ndodh me Tiranën është e pafalshme. Ndaj premtimet e mija targetojnë sigurisht, uljen e kostove të jetesës në mënyrë të padiskutuesheme, duke filluar nga një masë që prek 200 mijë qytetarë në ditë. Ua them këtu, nga ky takim me Demokristianët, autobusi pas 14 Majit do të jetë falas pa pagesë. Kjo është e realizueshme. A e dini çfarë benefiti është kjo për qytetarët? Janë 200 mijë qytetarë në ditë në Tiranë që përdorin shërbimin e autobusit. Për ato familjet që janë në kushte të vështira ekonomike, për ato familje që u duhet të marrin dy linja urbani në ditë për të shkuar në vendin e punës, kjo masë u kursen 52 mijë lekë në muaj”-tha Këlliçi.
Para demokristianëve në Tiranë, Belind Këlliçi përsëriti dhe njëherë ftesën për rivalin e tij në këtë garë, kryebashkiakun aktual të Tiranës, Erion Veliaj, për të përballur platformat e tyre për drejtimin e kryeqytetit.
“Dhe gjej rastin përsëri këtu nga platforma e Demokristianëve, t`i shtroi dorën për një ftesë Erion Veliajt, për të ardhur në debat publik, për të ardhur këtu me ju, për ta zgjedhur ai vendin, orën, mediat, platformën, pyetjet, çështjet për çfarë të dojë ai. Duke nisur nga edukimi ynë, për të vazhduar te problemet e Tiranës, për të folur për qytetarët”,-u shpreh Belind Këlliçi.
Në fund, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, pati dhe një apel drejtuar gjithë qytetarëve të Tiranës, duke u kërkuar të mos shesin votën apo të intimidohen për shkak të ruajtjes së vendit të punës. Belind Këlliçi tha se 14 Maj është një ditë e rëndësishme për të ndëshkuar me votë këdo që vjedh apo tallet me qytetarët.
“Dhe i bëj një apel nga këtu të gjithë qytetarëve: marrëdhënia me votën duhet të jetë e shenjtë, mos u intimidoni. Unë e di që ka një presion të jashtëzakonshëm ndaj administratës publike. Unë e di që ka një represion total ndaj atyre që janë në punë për të mos votuar Belind Këlliçin në datën 14 Maj. Unë e di që Erion Veliaj po i këron me lista me nga 10 punonjës të gjithë drejtorëve të tij në Bashkinë e Tiranës për të mbajtur vendin e punës. Po kur të shkoni te kutia e votimit jeni vetëm ju dhe Zoti, askush tjetër. Mos e shisni shpirtin për 50 mijë lekë apo për vendin e punës. Mendoni katër vitet e ardhshme, mendoni të ardhmen e këtij qyteti. I ndëshkoni me votë ato që tallen me ju, i ndëshkoni me votë ata që vjedhin çdo ditë. E nëse Belindi nuk mban premtimet pas 14 Majit, ndëshkoni edhe Belind Këlliçin më vonë”-u shpreh Belind Këlliçi.