Këlliçi: Rama është i rrëzuar në çdo moment, treguesit ekonomikë janë katastrofikë
Deputeti demokrat Belind Këlliçi, ka treguar planin e ardhjes së opozitës në pushtet, i cili pritet që të nisë intensivisht prej vjeshtës. Sipas tij, kryeministri Edi Rama është i rrëzuar në çdo moment pasi vendi gjendet në një katastrofë ekonomike.
”Stina e vjeshtës do ta gjejë PD në një aksion shumëdimensional. Duke nisur nga protestat që do vijiojnë të organizohen dhe do të jenë në seri, për këtë jam i bindur. Mos harroni që në PD është rikthyer një nga njohësit më të mirë të këtij mekanizmi, zoti Berisha.
Do të jenë primaret në këtë forcë politike që padyshim do të jenë një risi në pushtetin lokal, ku për herë të parë nuk i caktojmë më kandidatët në limitet kohore 30 apo 45 ditë përpara zgjedhjeve, por do i japim mundësi që 6 muaj përpara që kandidatët të jenë prezent, të jenë pranë qytetarëve dhe të bëhet një fushatë ndryshe këtë herë nga ana e PD.
Do të ketë një aksion edhe më konkret edhe në parlament, për të bërë aksionin në opozitën parlamentare që është e domosdoshme për Partinë Demokratike dhe e vetmja nukël që ende mbahet peng nga Enkelejd Alibeaj dhe mbështetësit e zotit Basha. Pa diskutim do jemi në terren me qytetarët dhe do jemi kudo me denoncime”,-tha në ”Tv Klan”.