Këlliçi uron të gjithë shqiptarët: Uroj që Zoti të na japë forcë e kurajo të përballojmë vështirësitë e jetës në Shqipëri!
Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi në këtë fundvit i shoqëruar nga disa të rinj demokratë kanë dhuruar ndihma në disa familje në nevojë.
Teksa i ka uruar të gjithë shqiptarët ta gëzojnë këtë vit të ri 2021, Këlliçi uron që Zoti të na japë forcë e kurajo të përballojmë vështirësitë e jetës në Shqipëri.
Po ashtu ai bën thirrje që të ndihmohen të gjithë qytetarët në nevojë kudo që janë.
Postimi i plotë:
Viti i Ri po afron dhe shumë fëmijë, prindër e gjyshër nuk kanë mundësi të festojnë. Ndonëse pa një shtëpi të ngrohtë, me shëndetin e rrezikuar e pamundësi të tjera, dëshira për të festuar si të tjerët, është e madhe.
Vajzat e FRPD organizuan gjithçka më së miri; mbledhjen e ndihmave, me ushqime, veshmbathje, libra e lodra. Thirrjes së tyre iu bashkuan shumë të rinj, të cilët i falenderojmë nga zemra. Të gjithë së bashku, të rinj e të reja, dhuruam çka mundëm, për të dhënë shpresë e dashuri në këtë fundvit. Ishin ditë të mbushura me emocione të përziera, të bukura e të hidhura. Lotuam dhe gëzuam njëkohësisht.
Uroj nga thellësia e zemrës që Zoti të na japë forcë e kurajo të përballojmë vështirësitë e jetës në Shqipëri!
Të ndihmojmë nevojtarët që i shohim kudo!
Gëzuar Vitin e Ri dhe mot më mirë!