Këlliçi-Veliajt: Landfilli i Sharrës, një skenë krimi! Nuk e harrojmë as Ardit Gjoklajn, as 11 milionë eurot
Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi ka qenë sot sërish në landfillin e Sharrës duke i treguar kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se ky ishte vendi ku humbi jetën adoleshenti Ardit Gjoklaj dhe ku po ezaurohet një tjetër krim, grabitja e miliona eurove me pasojë mbi mijëra shqiptarë.
“Landfilli i Sharrës është një skenë krimi, 11 milionë euro i vidhen shqiptarëve përmes inceneratorit të Tiranës. Ndërsa qeveria vjedh buxhetin e shtetit, të rinjtë largohen nga Shqipëria ose humbin vendin e punës”, tha Këlliçi.
Sa i përket vdekjes së Ardit Gjoklajt, Këlliçi u shpreh:
“Dhe sot 4 vite më pas nuk kemi asnjë person përgjegjës për humbjen e jetës së këtij të riu. Nëse Erion Veliaj mendon se qytetarët e kanë harruar vdekjen e Ardit Gjoklajt e ka shumë gabim. Ne do të jemi këtu për të thënë disa të vërteta shumë të mëdha. Do të jemi çdo ditë e më shumë në denoncim dhe në çmontimin e propagandës dhe farsës së kryeministrit Edi Rama, por mbi të gjitha të Erion Veliajt”.
Sipas kreut të të rinjve demokratë, mafia e plehrave me në krye kryeministrin Edi Rama, Erion Veliajn dhe Arben Ahmetaj synon vetëm grabitjen e qytetarëve dhe dërgimin e fondeve për inceneratorët.
“Elementët e bandës së Lushnjës, të Ndraghetas me në krye Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajn, kjo mafie e plehrave, ky grup i strukturuar kriminal tashmë i kallëzuar në SPAK, prioritetin e tyre tashmë kanë inceneratorët, kanë grabitjen e qytetarëve dhe fondet i çojnë për plehrat”, deklaroi nga Sharra Belind Këlliçi.