Këmbësorët nuk i “binden” gjobave të policisë, kafe e raki në stolat e pallateve
Pavarësisht gjobave që policia do të aplikojë edhe tek këmbësorët që lëvizin pas orës 18:00, si dhe për ata që ulen në sheshe e në parqe, duket se qytetarët e Tiranës janë të pabindur për të zbatuar urdhrat e autoriteteve shëndetësore që të mos dalin nga shtëpitë kur nuk është e nevojshme.
Mëngjesi i të martës e deri në mesditë Tirana i ngjasonte një ditë të zakonshme.
Dhjetëra këmbësorë shiheshin në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Një pjesë e tyre, të ulur edhe nëpër stolat pranë pallateve ku banojnë, duke pirë kafe e raki.
Duke pohuar se vendimi për tu gjobitur edhe shkelësit e rrugës është i duhur, ata shprehen se po mbajnë distancën nga njëri-tjetri.
“Shumë dakort, e zbatoj distancën, mora një ajrosje dhe ika”, shprehet një i moshuar.
“Lokalet i kanë mbyllur, të gjitha i ka mbyllur. Kafen e bëmë në shtëpi. Nuk ka shtet që e ndalon, sëmundja do të bëjë të sajën”, tha më tej një i moshuar tjetër.
Në disa zona të tjera të Tiranë parqet ishin të zbrazëta. Ndërsa në parkun pranë stadiumit Dinamo, policia dhe ushtria këshillonte të moshuarit që të mos qëndronin më aty, duke i shoqëruar më pas në banesë.
Në Liqenin Artificial, ku nuk lejohet më hyrja e qytetarëve, disa prej tyre vihen re të kenë hyrë nga pjesa e pasme e kodrave të liqenit. Punonjës të Policisë Bashkiake, u vunë në lëvizje për t’i larguar prej andej.
Ndërgjegjësim të qytetarëve duke qëndruar në distanca të largëta nga njëri-tjetri u vu re tek ata persona që prisnin në rradhë jashtë bankave të nivelit të dytë.
Bankat do vijojnë të jenë të hapura dhe të ofrojnë shërbimet normalisht si në ditët e zakonshme, por me staf të reduktuar për shkak të masave të ndërrmara për mos përhapjen në masë të COVID-19. Edhe në këto ambiente është mbajtur distanca mes punonjësit dhe klientit./abcnews.al