”Kemi dalë nga zona e kuqe”, Manastirliu: Do marrim 4.4 mln doza vaksinash

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend, teksa ka folur për situatën epidemiologjike në dy javët e fundit, bëri me dije se Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e Covid-19. ”Vendi ynë, bazuar në të dhënat epidemiologjike, ka dalë nga zona e kuqe, pra nga zona e riskut së Covid-19, krahasuar me vendet e tjera, qoftë të rajonit dhe qoftë të Europës. Kjo falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që, sipas ekspertëve të shëndetit publik, po fillojnë të ndihen”, tha Manastirliu.

Sipas përllogaritjeve, nevojiten 4.4 milionë doza për mbulimin e plotë të popullatës me vaksina, kosto e të cilave mbërrin në rreth 4 miliard lekë. Ministrja foli në Kuvend për sigurinë e vaksinave që përdoren në vendin tonë për të cilat u shpreh ”Të dyja vaksinat, Coronavac dhe Sputnik po vlerësohen për aprovim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Agjencia Europiane e Barnave. Sot sigurisht që disponohen shumë më shumë evidenca shkencore për efikasitetin e vaksinave. Emëruesi i përbashkët për çdo vaksinë është një dhe vetëm një: Vaksinat ulin drastikisht efektet e rënda në shëndet dhe fatalitetet nga Covid-19”.

Mbi 746 mijë vaksina kanë mbërritur deri më sot në vendin tonë, më shumë se 572 mijë tashmë janë kryer, nga të cilat 136 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza. ”Sasia e vaksinave të kontraktuara deri më sot mbi 2 390 000 vaksina, të cilat po vijojnë të vijnë sipas kalendareve të lëvrimit dhe planit tonë të vaksinimit masiv të popullatës. Kemi mbërritur në vaksinimin e grupmoshës mbi 60-vjeç. Kemi vijuar me dozën e parë dhe po vijojmë me vaksinimin e dozave të dyta mbi 400 mijë të moshuar si dhe nëpërmjet planit të vaksinimit të kombinuar janë vaksinuar më shumë se 5 mijë punonjës të fabrikave material përpunuese, mbi 3500 punonjës të operatorëve turistikë. Ndërkohë q ëka filluar vaksinimi me dozën e dytë të 12 mijë efektivëve të Policisë së Shtetit”,- theksoi Manastirliu.

Po ashtu ministrja bëri të ditur se Shqipëria radhitet në vendet me ritëm shumë të mirë të vaksinimit sa i përket vaksinimit të popullsisë për 100 banorë në 7 ditët e fundit. ”Jemi në të njëjtin ritëm si mesatarja e vendeve të BE-së dhe vaksinimi vijon me intensitet të lartë, i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore në vend si dhe në qendrat e vaksinimit të përqendruara tashmë në të gjithë vendin”.

Duke folur për kalendarin e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se pritet lëvrini i metëjshëm i dozave të vaksinave, për të zgjeruar fashat sipas grupeve të riskut. Duke shprehur vendosmërinë për të rritur disponibilitetin e vaksinave në vend me qëllimin vaksinimin e gjithë popullatës brenda pranverës së vitit që vjen, Manastirliu tha se brenda muajit maj do të përmbyllet vaksinimi i stafeve të operatorëve turistik për të pasur një sezon turistik më të lehtësuar.

SHKARKO APP