“Kemi të sëmurë nëpër çadra”, banorët e një pallati në Shijak: Askush nuk ka ardhur të vlerësojë dëmet
Thirrje për ndihmë vijnë nga Shijaku. Banorët e një pallati në qendër të këtij qyteti, në lagjen ‘Kodra’ teksa për disa ditë me radhë flenë në çadra pasi banesat e tyre janë dëmtuar, janë në pritje të vlerësimit të situatës nga inxhinierët ekspertë.
Bëhet fjalë për një pallat 5-katësh ekzistues, ku jetojnë rreth 15 familje, i cili ka marrë dëmtime nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur. Qytetarët, tejet të indinjuar në lidhje me situatën, në një kontakt me ‘BalkanWeb’ tregojnë se përveç një çadre ku të fusin kokën, nuk kanë marrë asgjë tjetër.
“Na kanë thënë se do të vijnë vlerësuesit të shohin gjendjen e pallatit, por askush s’ka ardhur deri më sot. Na kanë lënë në një çadër, me të sëmurë dhe pleq. Po na vdesin njerëzit nga infarkti. Pallati jonë është shumë afër atij të kryetarit të bashkisë. Por askush nuk është kujtuar”, thotë një nga banoret e këtij pallati.