Këngëtari serb në Korçë, duel politik apo çfarë? Nazarko: Kombi shqiptar do dalë më i bashkuar
Përveç zjarreve, një debat që po vijon është edhe ftesa për muzikantin serbo-boshnjak Goran Bregovic në Korçë për festën e birrës. Analisti Mentor Nazarko, thotë se nuk beson se përplasja aktuale do krijojë ndarje mes pjesëve të kombit dhe se debati do i shërbejë njohjes më të mirë të njëra-tjetrës në të dy anët e kufirit.
“Ta quajmë duel politik apo çfarë? E vërteta është që kjo lloj përplasjeje në fakt, duke qenë fans i pluralizmit të ideve, të qasjeve,- i shërben dy pjesëve të kombit për ta njohur njëra-tjetrën më mirë. Kjo është konsiderata e parë që doja të bëja. Së dyti, mendoj që për shkak të njohjes më të mirë që vjen nga momente të tilla, atëherë do shmangen në të ardhmen ndarje të ngjashme. Natyrisht kam vënë re me shqetësim, me një lloj trishtimi faktin se ata që quhen inxhinierë të opinionit publik, po përpiqen që…me dashje apo pa dashje, për shkak të kërkimit të ‘like’-ve të shumta apo për shkak të nevojës për rreshtim, nevojës për agonizëm gati-gati sportiv, për interesa komercialë artistikë, tregëtarë, spekulantë, të nxisin këtë lloj ndarjeje. Unë mendoj që nuk jemi në rrethanat e një ndarjeje pa kthim”.
Nazarko shtoi se natyrisht ka individë politikë, individë mediatikë, ka grupe interesi që fërkojnë duart nga kjo që po ndodh, mundohen që ta përdorin për të krijuar hendeqe midis partive, midis dy pjesëve të kombit, midis elektorateve, midis ndjekësve të një portali apo një tjetri, pse jo dhe midis ndjekësve të një birre në dëm të një birre tjetër, por e vërteta është që shoqëria jonë në të dy anët e kufirit ka nevojë të piqet dhe të kuptojë se cila është domethënia e kësaj që po ndodh.
Provokim politik? ”Një nga vëllezërit Prifti thoshte që me gjasë është Rama mbrapa kësaj gjëje… Mund të jetë e vërtetë, sepse prapa kësaj inisiative a përzgjedhjeje, ka një shtysë politike, ashtu si është politik frymëzimi që vjen nga disa influencerë të lidhur me njerin krah politik në Kosovë, e që pastaj rezonojnë apo amplifikohen, qoftë për shkak të përfshirjes së artistëve tanë dhe të Kosovës, qoftë dhe një lloj mjedisi favorizues social në Kosovë për kësi lloj idesh ndarëse. Unë nuk e mohoj se gjithçka që po ndodh,- edhe polemika përfshirë -mund të sjellë si një lloj dimensioni të vullnetshëm a të pavullnetshëm një lloj relaksimi në mënyrën se si dy popujt apo dy kombet e shohin njëri-tjetrin, por unë nuk besoj që do të krijohet kjo ndarje midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në një moment të parë u duk se kundër ardhjes, apo kundër këndimit të Bregoviç në Korçë u rreshtuan shumë zëra të shquar, ndërkohë që në pjesën tonë, në pjesën e Shqipërisë kishte shumë pak zëra ose aspak”, u shpreh analisti i njohur për ”News 24”.