Kepi: Meloni në ngërç për refugjatët në Gjadër, të hënën…
Alba Kepi, gazetare shqiptare që jeton dhe punon në Itali, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Romës për kthimin e emigrantëve nga Gjadri drejt Italisë. Kepi tha se kampi i Gjadrit është vetëm për emigrantët që vijnë nga vendet e sigurta, ndërsa Gjykata italiane i konsideroi shtetet nga vinin refugjatëve si jo të sigurta ç’ka detyroi autoritetet t’i kthenin pas të huajt. Gazetarja tha gjithashtu se qeveria italiane do të vendosë të hënën nëse drejt Shqipërisë do të nisen grupe të tjera emigrantësh apo jo. Ajo shtoi se qeveria e Melonit është vënë përpara ngërçit nga vendimmarrja e Gjykatës së Romës.
”E gjithë marrëveshja Romë-Tiranë është bazuar në procedurën e përshpejtuar të përgjigjeve të kërkesave të azilantëve. Është e bazuar në listën e 22 vendeve të konsideruara vende të sigurta për të cilët Italia ka hartuar dhe kërkon të kthejë pas ata emigrantë që s’duhet të qëndrojnë në vendet e BE. Çdo gjë është e bazuar në këto lista. Në kampin e Gjadrit, quhet qendra e qëndrimit për riatdhesim, do të qëndrojnë vetëm emigrantët që duan të riatdhesohen në vendet e tyre. Në gjithë territorin italian ka 8 qendra dhe kjo është arsyeja pse një Italia zgjodhi ta ngrejë në Shqipëri. Lidhur me vendimin e Gjykatës së Romës, nuk është gjykatë emigracioni, por departamenti i seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës që ka detyrimin të marrë të gjitha kërkesat e azilkërkuesve që mbërrijnë në territorin shqiptar.
Vendimi nuk ka të bëjë me normativën ligjore të këtij fakti, por me atë europiane, me vendimin e Gjykatës së Luksemburgut marrë në datën 4 tetor 2024, ku GJEDNJ mori një vendim ndaj një shtetasi moldav që kishte kërkuar azil në Çeki. Në këtë vendim komentohet dhe thuhet se Çekia nuk ka të mos pranojë kërkesën për azil të shtetasit moldav edhe pse e konsideron Moldavinë vend të sigurtë, pasi siç thotë GJEDNJ, nuk mund të përgjithësohet një shtet pasi ka territore ku në këtë vend si Moldavia, Egjipti, Bangladeshi ku ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.
Gjykata e Romës ka marrë në datën 17 tetor kërkesat për 12 azilantët dhe ka për detyrë t’iu caktojë avokat shteti. Dhe gjykatësit thonë: ne bazohemi në vendimin e 4 tetorit të Gjykatës së Luksemburgut i cili thotë se ne nuk mund të përgjithësojmë një territor si Egjipti si Bangladeshi se është një vend i sigurt, mund të jenë të përsekutuar nga regjimi, fetare, seksuale etj. Meloni nuk ka thënë se do sjell emigrantë të tjerë. Ka njoftuar të hënën mbledhjen e Qeverisë për të gjetur rrugët e daljes nga ngërçi. Do mbërrijnë apo jo ende nuk dihet, nuk ka një komunikim zyrtar nga kryeministrja italiane”,-tha Kepi.