Kërcënimet e Vuçiç, Bumçi: Shqipëria duhej të reagonte
Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ishte i ftuari i Juli Krisafit në edicionin e mbrëmjes në SYRI TV.
Ai komentoi deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që kërcënoi Kosovën me luftë. Sipas tij, Shqipëria duhej të kishte reaguar.
“Gjatë këtyre viteve Serbia dhe Vuçiç fituan kapital politik dhe u kthyen në qendër të Ballkanit për shkak të hapësirës që i la Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s.
Duhej të kishim një reagim nga Ministria e Jashtme shqiptare. Nuk ka pasur deklarata as për shpopullimin e Preshevës, ku me mijëra qytetarë shqiptarë janë larguar.
Serbia e ktheu çështjen e integritetit territorial të Kosovës, kur ajo ishte çështje e mbyllur,” tha Bumçi, duke nënvizuar se marrëdhënia Rama-Vuçic e dëmtoi Kosovën.
Ai më pas komentoi edhe raportet ndërkombëtare që po damkosin qeverisjen e Edi Ramës.
“Ky dështim pas 8 vitesh mban emrin e Edi Ramës. Qeveria është e personalizuar. Ky është kryeministri më i paaftë që ka drejtuar Shqipërinë që nga viti 1991. Më i paaftë në formimin e tij. I përgatitur për shkak të shkollimit,” tha Bumçi.